Vdes historiani dhe publicisti kosovar, Daut Dauti
Historiani, publicisti dhe studiuesi kosovar, Daut Dauti, ka vdekur mëngjesin e së martës në Londër.
Dauti, i lindur më 1960 në Kokaj të Gjilanit, gjatë karrierës së tij u angazhua në gazetari, historiografi dhe studime që lidhen me Kosovën dhe çështjen shqiptare.
Ai kishte përfunduar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa më pas kishte vazhduar studimet pasuniversitare në Londër, me fokus në çështjet e Bashkimit Evropian.
Rrugëtimin në gazetari e nisi në gazetën “Bota e Re”, ndërsa më vonë iu bashkua revistës “Zëri”. Gjatë viteve 1994–1999, Dauti shërbeu si korrespondent i “Zërit” në Londër.
Përveç veprimtarisë në media dhe fushën akademike, ai mbajti edhe disa poste publike. Dauti ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe këshilltar për media dhe zëdhënës i Qeverisë së Kosovës gjatë kohës kur kryeministër ishte Bajram Kosumi.
Me veprimtarinë e tij në gazetari, histori dhe publicistikë, Daut Dauti la pas një kontribut të rëndësishëm në trajtimin e temave që lidhen me Kosovën dhe historinë shqiptare.