Veliaj merr drejtimin e Tiranës, firmos pagat nga burgu
Pas heqjes së kompetencave të kryetares së komanduar, Anuela Ristani, Erion Veliaj, nga paraburgimi i Durrësit, ka marrë vetë në dorë drejtimin e Bashkisë. Vendimi i parë është emërimi i Alban Dokushit si Sekretar i Përgjithshëm, i cili rikthehet në detyrë.
Ndërkaq, për A2 CNN, avokati i tij, Plarent Ndreca, konfirmon se Veliaj nuk do të komandojë një tjetër emër për kompetencat që ka si i zgjedhur. “Do ta ushtrojë me të gjitha mundësitë që ka dhe i krijohen. Vullneti i tij është i palëkundur për të ushtruar mandatin që qytetarët i kanë besuar, me çdo mjet e mundësi”.
Përfaqësuesi ligjor i Veliajt zhvilloi takime me përfaqësues të Bashkisë për t’u njohur me çështjet urgjente që kanë nevojë për ndërhyrje, sidomos sektori i shërbimeve publike, por edhe dokumentet e pafirmosura.
A2 CNN mësoi se administrata e Bashkisë pagën e muajit gusht do ta marrë me firmën e kryetarit të zgjedhur të kryeqytetit, pasi shkresat i kanë shkuar në qelinë e paraburgimit.
Bashkia e Tiranës, që prej shkurtit të vitit 2025, qëndron pa një kryetar të zgjedhur fizikisht në detyrë, për shkak të arrestimit të Erion Veliajt me kërkesë të SPAK-ut. Por socialisti e ka ankimuar në të gjitha shkallët masën e sigurisë dhe, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta lënë në detyrë, duke rrëzuar kërkesën e Ramës për shkarkim, kryebashkiaku i Tiranës është në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë më 15 shtator për vlerësimin e masës së sigurisë./ A2 Televizion