Rama kritikon Qeverinë Kurti në protestën e komunave: Po i bllokon dhe po i ndëshkon komunat

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar Qeverinë Kurti gjatë protestës së komunave të mbajtur para ndërtesës së Qeverisë, duke e akuzuar atë për bllokim dhe, siç tha, ndëshkim të komunave që nuk udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Rama, në fjalën e tij, e ka lidhur situatën aktuale me vitet e ’90-ta, kur shqiptarët e Kosovës, pas mbylljes së shkollave nga Serbia, organizonin mësimin në shtëpi.

“Sot është 1 Shtatori. Në vitet e ’90-ta, kur Serbia na i mbylli shkollat, ne nisëm mësimin nëpër shtëpi. Kishim ditar, krijuam sistem, sepse edhe atëherë, nën okupim, e dinim se shteti ndërtohet duke i mbajtur institucionet gjallë”, tha Rama.

Ai më pas kritikoi situatën me furnizimin e shkollave me ditarë, duke thënë se nxënësit në Kosovë e kanë nisur vitin e ri shkollor pa to.

“Në Kosovë sot, nxënësit po e fillojnë vitin shkollor pa ditarë”, u shpreh ai.

Rama akuzoi Qeverinë se po i përdor institucionet për të bllokuar komunat që nuk drejtohen nga Vetëvendosje.

“Problemi ynë nuk është se nuk kemi institucione. Problemi është se Albin Kurti po i përdor institucionet për me blloku edhe ndëshku qytetarët”, deklaroi kryetari i Prishtinës.

Sipas tij, në komunat ku Vetëvendosje nuk ka fituar, po bllokohen buxhetet për investime dhe të hyrat vetanake, ndërsa nga buxhetet komunale, sipas tij, po merren mjete për kontrata në të cilat komunat nuk kanë qenë pjesë e procesit vendimmarrës.

“Edhe kush po e paguan këtë çmim? Nuk po e paguajmë ne kryetarët, po e paguani ju, qytetarë të nderuar”, tha Rama.

Ai e cilësoi si paradoks situatën në të cilën, sipas tij, komunat duhet të mbrohen nga Qeveria qendrore.

“Pas gjithë sakrificës këtij populli, pas luftës, pas njerëzve që dhanë jetën, pas punës së brezave të tërë për me i krijuar institucionet tona, sot kemi ardhur në një pikë ku duhet me i mbrojtur komunat nga njerëzit që udhëheqin këtë institucion. Paramendoni ku kemi ardhur sot! Katastrofale kjo! Duhet me i mbrojtur komunat nga qeveria jonë. Çfarë marre! Çfarë paradoksi?”, tha ai.

Në pjesën tjetër të fjalimit, Rama kritikoi edhe disa figura të larta të institucioneve të Kosovës, duke iu referuar të kaluarës së tyre politike dhe përplasjeve me institucionet shtetërore.

Ai përmendi ministrin përgjegjës për sigurinë, ministren e Punëve të Jashtme dhe kryetaren e Kuvendit, duke ngritur akuza dhe pretendime lidhur me veprimet e tyre të mëparshme.

“Shikojeni kush i udhëheq këto institucione. Këto institucione sot po i udhëheqin njerëzit që dikur i kanë djegur e i kanë sulmuar me tulla e me gaz lotsjellës pikërisht këto institucione”, tha Rama.

Ai më tej pretendoi se zyrtarë të lartë të institucioneve aktualisht përballen me akuza ose procese që lidhen me veprime ndaj institucioneve shtetërore, duke e cilësuar këtë si “paradoks”.

Rama e përmbylli fjalimin duke theksuar rëndësinë e institucioneve të Kosovës dhe sakrificën e bërë për ndërtimin e tyre.