Thirrje nga Gaza për ndihmë humanitare: Na ndihmoni të lidhemi me organizata në Kosovë

Një kërkesë për ndihmë humanitare nga Gaza ka mbërritur në adresën elektronike të redaksisë së Gazetës Zëri, me autorët që kërkojnë të lidhen me organizata, biznese apo individë në Kosovë të gatshëm të ofrojnë mbështetje për projekte humanitare në Gaza.

Në mesazhin dërguar redaksisë, autorët thonë se po përballen me kushte të rënda humanitare si pasojë e luftës, zhvendosjes dhe shkatërrimit, ndërsa theksojnë se nevojat më urgjente lidhen me ushqimin, arsimin, kujdesin mjekësor dhe mbështetjen për familjet e zhvendosura.

“Ne jemi njerëz nga Gaza dhe po përjetojmë kushte jashtëzakonisht të vështira humanitare për shkak të luftës, zhvendosjes dhe shkatërrimit”, thuhet në kërkesën e dërguar në emailin e redaksisë.

Autorët i janë drejtuar medias kosovare me shpresën se mund t’i ndihmojë të identifikojnë organizata humanitare, organizata të shoqërisë civile, biznese, bamirës apo individë në Kosovë që mund të jenë të gatshëm të mbështesin ose të realizojnë projekte humanitare në Gaza.

Sipas tyre, ata janë të gatshëm të ofrojnë propozime konkrete për projekte, si dhe informacione lidhur me nevojat më urgjente, dhe të bashkëpunojnë me organizatat që shprehin gatishmëri për të ndihmuar.

“Ndonjëherë, gjetja e organizatës apo personit të duhur është hapi më i vështirë. Shpresojmë që ju të mund të na ndihmoni ta përcjellim zërin e Gazës tek njerëzit dhe organizatat që kanë mundësi të bëjnë një ndryshim”, thuhet në mesazh.

Kërkesa përfundon me një falënderim për kohën dhe çdo ndihmë apo udhëzim që mund t’u ofrohet.

Redaksia e Zërit e publikon këtë kërkesë me qëllim të përcjelljes së thirrjes për ndihmë dhe hapjes së mundësive për kontakt mes autorëve të saj dhe organizatave apo individëve në Kosovë që merren me çështje humanitare.

Emaili i plotë: