Kantoni i Cyrihut vendos të ndalojë shamitë në shkolla
Parlamenti Kantonal i Cyrihut ka votuar të hënën për ndalimin e shamisë në shkollat publike.
Vendimi erdhi pas mbështetjes së një nisme nga Partia Popullore e Zvicrës (SVP), e cila kërkoi ndalimin e plotë të shamisë si për mësueset, ashtu edhe për nxënëset.
Sipas SVP-së, shamia përfaqëson "një simbol të shtypjes dhe të islamit politik", me argumentin se ajo nuk ka vend në institucionet publike arsimore. Pro kësaj nisme votuan edhe liberalët (FDP) dhe parti të tjera të vogla.
Në krahun tjetër, kundër u rreshtuan socialdemokratët, të gjelbrit dhe parti të qendrës, të cilat argumentuan se kjo masë cenon lirinë e besimit fetar.
Qeveria e kantonit të Cyrihut kishte sinjalizuar mbështetjen e nismës për këtë hap përpara votimit në parlament dhe tashmë ka në dispozicion dy vjet kohë për të përgatitur propozimin konkret për zbatimin e këtij ligji.
Ndalimi i shamisë për mësueset zbatohet edhe në kantone të tjera si Bernë apo Gjenevë, ndërsa javën e kaluar edhe parlamenti i kantonit Aargau mori një vendim të ngjashëm.
Megjithatë, përfshirja e nxënëseve në këtë ndalim mbetet pika më e debatueshme nga ana ligjore. Në vitin 2015, Gjykata Supreme Federale pas një rasti të iniciuar në qytetin St. Margrethen (Zvicra lindore) kishte vendosur se interesi publik - si neutraliteti shtetëror apo barazia gjinore - nuk mjafton juridikisht për t'u ndaluar nxënëseve mbajtjen e shamisë në mësim.
Përveç vendimit për simbolin fetar, parlamenti i Cyrihut miratoi të hënën edhe një masë tjetër strikte për ambientet arsimore: ndalimin e plotë të përdorimit të celularëve privatë, tabletëve dhe kompjuterëve personalë në të gjitha shkollat publike të kantonit. /Telegrafi