Kurti me të rinjtë: Barazia gjinore,çështje e drejtësisë dhe zhvillimit ekonomik

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bashkëbiseduar me të rinj në hapjen e Shkollës Verore për Gjininë, Ekonominë dhe Politikën, e cila po mbahet në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.

Kurti tha se kjo shkollë verore bashkon tri tema që janë thellësisht të ndërlidhura me njëra-tjetrën: gjininë, ekonominë dhe politikën.

“Ekonomia nuk është neutrale ndaj gjinisë. Politika nuk është neutrale ndaj ekonomisë. Dhe demokracia nuk mund të jetë e plotë nëse gjysma e shoqërisë përballet me më shumë pengesa për të punuar, për të pasur pronë, për të udhëhequr, e për të vendosur. Prandaj barazia gjinore për ne nuk mund të jetë vetëm obligim ligjor, e as një temë sektoriale. Është çështje e drejtësisë shoqërore, e zhvillimit ekonomik dhe e cilësisë së demokracisë sonë”, tha Kurti.

Duke folur për politikat publike, ai tha se gjatë viteve të fundit është synuar që fuqizimi i grave dhe vajzave të përkthehet nga parimi në politika, buxhet dhe rezultate të matshme.

“Kemi mbështetur punësimin e mbi 12 mijë grave; kemi përdorur platformën Superpuna për ta lidhur rininë me tregun e punës, nga afër 23 mijë të rinj të punësuar, 51 për qind janë gra e vajza; kemi investuar në arsim dhe në bursa për vajzat në STEM, Shkencë, Teknologji, Inxhinieri e Matematikë, ku janë ndarë 7.277 bursa, prej të cilave 7.042 për vajza apo 97 për qind për vajza; kemi mbështetur me shtesat për lehona dhe fëmijë; kemi mbështetur ndërmarrësinë dhe gratë në bujqësi; dhe e kemi rritur përfaqësimin e grave në vendimmarrje”, tha ai.

Kurti shtoi se përmes programit “Qeveria për Familjet”, nga mbi 4 mijë persona të punësuar nga familje ku më herët nuk punonte askush, 55 për qind janë gra. Ndërsa përmes programit “Kosovo Generation Unlimited”, nga mbi 3 mijë të rinj që kanë përfituar punë praktike, afër 60 për qind janë gra e vajza.

“Në vitin 2021 kishim 5.555 fëmijë të regjistruar në çerdhe. Në vitin shkollor 2024/2025, sa për krahasim, ky numër kishte arritur në 7.429, apo rreth 33 për qind më shumë. Ndërkohë janë ndërtuar ose po ndërtohen 74 çerdhe nëpër Kosovë”, tha Kurti.

Ai shtoi se qëllimi është i dyfishtë: fëmija të ketë qasje në edukim të hershëm, ndërsa prindi, në praktikë shumë shpesh nëna, të ketë më shumë hapësirë për punësim, arsimim dhe vetëpunësim.

Duke iu drejtuar studentëve të pranishëm nga fusha të ndryshme të studimit, Kurti tha se barazia gjinore nuk është profesion vetëm i atyre që merren me barazi gjinore.

“Në demokraci nuk mjafton të votojmë një herë në disa vite. Demokracia kërkon qytetarë që marrin pjesë, propozojnë, kritikojnë, hulumtojnë dhe kërkojnë llogari. E sidomos juve të rinjve: demokracia nuk ju kërkon vetëm votën, por zërin, dijen dhe angazhimin tuaj. Mos prisni zgjedhjet për të marrë pjesë dhe mos prisni një pozitë për të pasur ndikim”, tha kryeministri në detyrë, Albin Kurti.