Ibrahimi: Komunat protestojnë nesër, kërkesat tona po neglizhohen nga niveli qendror

Asociacioni i Komunave të Kosovës do të protestojë nesër, më 1 shtator, në orën 11:00, për të shprehur pakënaqësinë lidhur me problemet dhe kërkesat e komunave që, sipas tyre, nuk janë adresuar nga niveli qendror.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se vendimi për protestën është marrë pas dy takimeve të fundit të Këshillit të Kryetarëve, ku janë diskutuar sërish problemet me të cilat përballen komunat.

“Ne, në dy takimet e fundit të Këshillit të Kryetarëve, i kemi diskutuar problemet e komunave, janë ridiskutuar përsëri dhe është marrë vendimi final që më 1 shtator, në orën 11:00, të kemi protestë të komunave të Kosovës. Në atë takim kanë qenë kryetarët e komunave, përfaqësues të komunave dhe me një zë janë dakorduar që pothuajse e vetmja zgjidhje e problemit apo presionit që të ushtrohet ndaj nivelit qendror është protesta”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka theksuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk i ka takuar kryetarët e komunave për rreth dy vjet, ndërsa takimi i fundit, sipas tij, është mbajtur në fillim të tetorit të vitit 2024.

“Ju mund ta merrni parasysh që kryeministri Kurti po thuajse dy vite nuk i ka takuar kryetarët e komunave dhe takimi i fundit ka qenë në fillim të tetorit 2024. Këtu temat të cilat janë aktuale edhe tash janë diskutuar, por zgjidhje nuk ka pasuar”, është shprehur ai.

Ibrahimi ka përmendur edhe disa nga kërkesat kryesore të komunave. Sipas tij, një nga problemet është moszbatimi i kontratës kolektive, ndërsa komunat janë përballur edhe me pasoja financiare nga proceset gjyqësore.

“Kërkesat e komunave që disa vite janë duke u neglizhuar janë zbatimi i kontratës kolektive, që nga viti 2022 e deri në fillim të gushtit. Nga proceset gjyqësore, komunave u janë marrë mbi 380 milionë euro, ku mbi 100 milionë euro kanë shkuar në xhepat e përmbaruesve dhe avokatëve për proceset gjyqësore. Pastaj, problemi i dytë është moszbatimi i një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë tutje Ibrahimi.

Protesta e komunave pritet të mbahet nesër në Prishtinë, ndërsa në të pritet të marrin pjesë përfaqësues dhe kryetarë të komunave nga i gjithë vendi./teve1