Aliaj: Sejdiu është kandidat që i përmbush të gjitha kërkesat kushtetuese

Analisti politik, Artan Alijaj, ka komentuar dakordimin mes dy partive politike për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.

Alijaj tha se marrëveshja është rezultat i një procesi të gjatë negociatash, i cili, sipas tij, është zgjatur për shkak të konsultimeve brenda partive politike.

“Ka qenë një rezultat i një procesi negociatash mes dy partive politike. Ka zgjatur pak më shumë. Arsyeja që ka zgjatur kaq shumë ka të bëjë me konsultime brenda partive politike”, tha Alijaj.

Ai u ndal edhe te reagimet brenda LDK-së, duke thënë se nga zhvillimet e sotme është krijuar përshtypja se marrëveshja nuk është diskutuar me kryesinë dhe grupin parlamentar.

“Ajo se çka kemi parë sot, në bazë të reagimit të disa anëtarëve brenda LDK-së, thuhet se nuk ka pasur konsultime me kryesinë dhe grupin parlamentar”, u shpreh ai.

Sa i përket kandidaturës së Bekim Sejdiut, Alijaj vlerësoi se ai i plotëson kriteret kushtetuese për të qenë kandidat për president.

“Sa i përket kandidaturës së Bekim Sejdiut, nëse i shohim kriteret që parashihen në Kushtetutë, është një kandidat që i përmbush të gjitha kërkesat”, tha ai.

Megjithatë, analisti theksoi se përveç aspektit juridik, mbetet edhe ai politik, ndërsa pikëpyetja kryesore është nëse Sejdiu do t’i sigurojë votat e nevojshme në Kuvend.

“Në anën politike është një anë tjetër. Është fakt që është arritur një ujdi mes partive politike. Ajo që është pikëpyetje e madhe është nëse z. Sejdiu do t’i sigurojë votat brenda Kuvendit”, deklaroi Alijaj./dukagjini