Anton Quni mirëpret marrëveshjen LDK-LVV për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, ka mirëpritur marrëveshjen e arritur mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), përmes së cilës Prof. Dr. Bekim Sejdiu është propozuar për kandidat për President të Republikës së Kosovës.
Quni ka thënë se marrëveshja është një hap që, sipas tij, dëshmon pjekuri politike dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve, duke vendosur interesin shtetëror mbi dallimet partiake.“Me kënaqësi dhe shpresë të madhe për stabilitetin institucional të vendit, e mirëpres marrëveshjen e arritur mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje që Prof. Dr. Bekim Sejdiu të propozohet për President të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Quni.
Ai ka vlerësuar edhe prejardhjen familjare të Sejdiut, duke përmendur kontributin e familjes së tij në rezistencën paqësore e politike të udhëhequr nga ish-presidenti Ibrahim Rugova, si dhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Quni ka theksuar se e ka njohur nga afër heroin e Kosovës, Arben Sejdiu, të cilin e ka cilësuar si bashkëluftëtar.
“Duke e njohur nga afër bashkëluftëtarin tim, Heroin e Kosovës Arben Sejdiu, kam pasur nderin të shoh drejtpërdrejt frymën e lartë atdhetare, sakrificën dhe përkushtimin e pandalshëm të familjes Sejdiu për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Sipas Qunit, përvoja diplomatike, profesionale dhe juridike e Bekim Sejdiut, përfshirë angazhimin e tij si ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe diplomat, e bëjnë atë një figurë të përshtatshme për të përfaqësuar unitetin e qytetarëve dhe për të garantuar respektimin e Kushtetutës.
Ai ka vlerësuar veçanërisht përvojën e Sejdiut në të drejtën ndërkombëtare dhe diplomaci, duke thënë se ajo përbën një vlerë për përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në fund, Quni i ka uruar Sejdiut sukses në procesin e zgjedhjes dhe ka shprehur besimin se ai, nëse zgjidhet president, do ta udhëheqë vendin me urtësi, paanshmëri dhe përkushtim ndaj Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Na priftë e mbara!”, ka përfunduar Quni.