ZKA: Nxënësit me nevoja të veçanta nuk po marrin mbështetje të barabartë në shkollat e Kosovës

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka evidentuar një sërë mangësish në sistemin arsimor të Kosovës sa i përket identifikimit, vlerësimit dhe mbështetjes së nxënësve me nevoja të veçanta arsimore.

ZKA-ja ka publikuar raportin e auditimit të performancës me temën “Mbështetja e Nxënësve me Nevoja të Veçanta në Shkollat Fillore dhe të Mesme të Ulëta në Kosovë”, i cili ka shqyrtuar funksionimin e mekanizmave institucionalë për identifikimin, vlerësimin dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme për këta nxënës.

Auditimi ka përfshirë Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Drejtoritë Komunale të Arsimit në Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë, si dhe 10 shkolla publike.

Sipas gjetjeve të ZKA-së, sistemi arsimor ende nuk garanton mbështetje të barabartë, të qëndrueshme dhe të bazuar në nevojat reale të nxënësve me nevoja të veçanta arsimore.

Një nga problemet e evidentuara lidhet me funksionimin e ekipeve vlerësuese komunale. Auditimi ka konstatuar se këto ekipe nuk kanë funksionuar në mënyrë të qëndrueshme, duke ndikuar në procesin e identifikimit dhe vlerësimit të nevojave të nxënësve.

Mangësi janë evidentuar edhe në kapacitetet profesionale dhe mbështetëse në shkolla. Sipas raportit, numri dhe shpërndarja e asistentëve, mësuesve mbështetës, psikologëve dhe pedagogëve nuk janë të mjaftueshme, ndërsa në disa raste nuk janë të bazuara në analiza të dokumentuara të nevojave.

ZKA-ja ka gjetur probleme edhe në sistemin e monitorimit dhe koordinimit institucional. Të dhënat për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore në Sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim (SMIA) kanë shfaqur mospërputhje me gjendjen e evidentuar në terren.

Raporti vëren se mungesa e mbështetjes institucionale, në disa raste, është kompensuar nga vetë prindërit, të cilët janë detyruar të angazhojnë asistentë privatë për fëmijët e tyre.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar se arsimi gjithëpërfshirës nuk nënkupton vetëm përfshirjen fizike të nxënësve në shkollë, por edhe sigurimin e mbështetjes së duhur që ata të mund të zhvillojnë potencialin e tyre dhe të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në procesin mësimor.

“Rezultatet e auditimit tregojnë se nevojitet një qasje më e koordinuar dhe e bazuar në nevojat reale të nxënësve, në mënyrë që mbështetja të jetë e qasshme dhe në kohë për secilin nxënës”, ka deklaruar Spanca.

Për adresimin e problemeve të evidentuara, ZKA ka dhënë 14 rekomandime.

Rekomandimet synojnë përmirësimin e funksionimit të ekipeve vlerësuese, planifikimin më të mirë të kapaciteteve mbështetëse në shkolla, përmirësimin e cilësisë së të dhënave dhe forcimin e monitorimit e koordinimit institucional. /Zëri