Në Mitrovicë sonte shfaqet premiera e dokumentarit “Shtëpia e Kombit”

Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se sonte, më 31 gusht, do të shfaqet premiera e dokumentarit “Shtëpia e Kombit”, me regji të Burim Halitit dhe producente Helena Halilaj.

Sipas njoftimit të Komunës, premiera do të mbahet në fillim të shëtitores “Kej” në Mitrovicë, duke filluar nga ora 19:30.

Dokumentari trajton eksodin e mijëra shqiptarëve të Kosovës gjatë vitit 1999, si dhe mikpritjen dhe solidaritetin e qytetarëve të Kukësit ndaj familjeve të dëbuara nga Kosova.

Përmes këtij dokumentari synohet të rikujtohet periudha e luftës dhe dëbimit të shqiptarëve të Kosovës, si dhe kontributi human i qytetarëve të Kukësit, të cilët gjatë ditëve më të vështira hapën dyert e shtëpive të tyre dhe ndanë gjithçka me familjet e ardhura nga Kosova.

Komuna e Mitrovicës ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në premierën e dokumentarit.