Kina ngre alarmin për rrezik të lartë për një tjetër përmbytje në Nepal

Kina ka paralajmëruar për rrezik të lartë që "liqeni i ri" i formuar pas rrëshqitjeve të dheut pranë kufirit Nepal-Tibet, të dalë nga shtrati, duke shkaktuar një tjetër përmbytje.

Liqeni është krijuar pasi materialet e rrëshqitjes bllokuan rrjedhën e dy lumenjve Chhochen Khola dhe Purepu Tsangpo.

Deri të premten, në të ishin grumbulluar rreth 2.5 milionë metra kub ujë, ndërsa autoritetet presin që sasia të rritet edhe më tej për shkak të reshjeve.

Alarmi vjen vetëm disa ditë pas përmbytjes së fuqishme që goditi rajonin dhe shkaktoi qindra viktima e të zhdukur.

Shkencëtarët besojnë se përmbytja u shkaktua nga shembja e një akullnaje, e cila solli masa të mëdha uji dhe mbetjesh në rrjedhën e lumit.

Autoritetet kineze kanë pezulluar përkohësisht operacionet e shpëtimit në disa zona, ndërsa ekipet inxhinierike po monitorojnë nivelin e ujit dhe gjendjen e liqenit me dronë.

Ekspertët paralajmërojnë se dalja e liqenit nga shtrati mund të shkaktojë përmbytje të reja dhe rrëshqitje dheu. Megjithatë, ata thonë se ekziston edhe mundësia që uji të derdhet gradualisht dhe në mënyrë natyrore, duke shmangur një katastrofë të re.

Në anën nepaleze, autoritetet kanë paralajmëruar banorët të qëndrojnë larg lumenjve Bhote Koshi dhe Trishuli për shkak të rrezikut të bllokimeve dhe përmbytjeve të mëtejshme.