Benzema shkëput kontratën me Al-Hilalin

Karim Benzema dhe Al Hilal kanë ndërprerë bashkëpunimin me efekt të menjëhershëm, raporton Fabrizio Romano.

Kontrata e sulmuesit francez është ndërprerë dhe tashmë ai përballet me një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e tij.

Benzema, tashmë 38-vjeçar, u largua nga Real Madridi në vitin 2023 për t’iu bashkuar Al Ittihadit. Fituesi i Topit të Artë në vitin 2022 më pas kaloi te rivali Al Hilal në janar të vitit 2026.

Vetëm gjashtë muaj më vonë, Benzema është lojtar i lirë dhe e ardhmja e tij mbetet e paqartë. Sipas Romano, francezi pritet të njoftojë së shpejti vendimin e tij për vazhdimin e karrierës.

Për momentin, dy janë opsionet në tavolinë: pensionimi ose transferimi te një tjetër klub në Arabinë Saudite. Një rikthim në futbollin evropian nuk konsiderohet mundësi.

Megjithatë, sipas “AS”, Benzema nuk ka ndërmend të pensionohet dhe tashmë ka disa oferta për të vazhduar karrierën në Arabinë Saudite. Në mesin e destinacioneve të mundshme përmenden edhe ish-klubi i tij Al Ittihad dhe Al Shabab.

Gjatë aventurës së shkurtër te Al Hilal, Benzema zhvilloi 16 ndeshje, duke shënuar dhjetë gola dhe dhuruar pesë asistime.

Largimi i tij vjen në të njëjtën kohë me transferimin e Ollie Watkins te Al Hilal, ndërsa klubi saudit ka siguruar edhe Gabriel Martinellin nga Arsenal, duke sjellë ndryshime të mëdha në repartin ofensiv.