Mingarkohen emergjencat mjekësore, shkak temperaturat e larta
Temperaturat e larta po ndihen edhe në dyert e urgjencës. Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë thonë se gjatë korrikut dhe gushtit është shënuar rritje e dukshme e fluksit të pacientëve.
Përveç virozave të stinës, të shoqëruara me diarre, vjellje dhe molisje, mjekët kanë trajtuar edhe pacientë me goditje nga dielli.
“Fluksi i pacientëve është rritë dukshëm gjatë dy muajve të fundit, korrikut dhe gushtit, kur edhe temperaturat kanë shënuar rritje. Kanë dominu virozat e stinës: barkqitje, vjellje, molisje e të tjera. Mirëpo nuk kanë munguar edhe pacientët me goditje nga dielli, që është tipike e temperaturave të larta”, tha për RTK, Flori Bakalli, specialist i mjekësisë familjare në Njësinë e Urgjencë
Sipas mjekëve, më të ndjeshëm janë të moshuarit dhe fëmijët, ndërsa në grupet e rrezikut përfshihen edhe gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.
Nga temperaturat e larta, mjekët konfirmojnë se jo të gjitha rastet janë mbyllur me trajtim në kujdesin parësor, pacientë me simptoma të vazhdueshme janë referuar edhe në Spitalin e Gjakovës.
“Referime në spital ka pasur, jo vetëm të sëmundjeve kronik, mirëpo edhe personave të sëmurë nga virozat e stinës, kryesisht ato me barkqitje dhe vjellje persistente, e cila nuk ka reaguar në terapinë e dhënë nga mjekët primarë”, tha Flori Bakalli, specialist i mjekësisë familjare në Njësinë e Urgjencë.
Një prej rreziqeve është edhe dehidrimi. Molisja, marramendja dhe plogështia janë ndër shenjat e para, ndërsa vjellja dhe diarreja e vazhdueshme mund ta përkeqësojnë gjendjen.
Mjekët rekomandojnë konsumim të shpeshtë të ujit gjatë gjithë ditës dhe shmangie të ekspozimit të gjatë në temperatura të larta.
Të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike mbeten ndër kategoritë që, sipas mjekëve, duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta.