Brenda muzeut të pazakontë të Vjenës ku bota tregohet përmes globuseve

Në zemër të Vjenës, larg turmave që mbushin atraksionet më të njohura të qytetit, ndodhet një muze i pazakontë që ofron një mënyrë krejt tjetër për të parë botën. Globe Museum, i vendosur në Palais Mollard të shekullit XVII, është i vetmi muze publik në botë kushtuar tërësisht globuseve.

Brenda tij ruhen më shumë se 220 globe të rralla dhe antike, shumica të krijuara para vitit 1850. Ato nuk tregojnë vetëm se si është imagjinuar Toka ndër shekuj, por edhe se çfarë dinin, besonin dhe nuk dinin njerëzit në periudha të ndryshme të historisë.Mes koleksionit gjenden globe tokësore dhe qiellore, disa prej të cilëve janë vepra arti më vete. Në hartat e vjetra, territoret e panjohura mbushen me përbindësha detarë, kontinente të imagjinuara dhe forma gjeografike që sot duken të çuditshme. Në një glob të shekullit XVI, për shembull, Amerika e Veriut është ende pjesërisht e paeksploruar, ndërsa Australia dhe Antarktida zëvendësohen nga një kontinent hipotetik.Por globet tregojnë edhe anën më të errët të historisë. Disa prej tyre pasqyrojnë paragjykimet e epokës koloniale, ndërsa flamujt spanjollë dhe portugezë të vendosur përgjatë brigjeve afrikane dëshmojnë mënyrën se si fuqitë europiane shënonin territore si pronë.

Një prej objekteve më interesante është një glob i Hënës i vitit 1961. Ana e saj e largët është lënë bosh, pasi në atë kohë njerëzimi ende nuk e kishte parë. Vetëm dy vjet më vonë, një version i ri i globit plotësoi pjesën që mungonte.

Në hyrje të muzeut qëndron edhe një kopje e Globit të Behaimit, përfunduar në vitin 1492, në të njëjtin vit kur Kristofor Kolombi u nis drejt perëndimit. Globi paraqet një botë ku Amerika ende nuk ekziston dhe hapësira mes Europës dhe Azisë është vetëm oqean.

“Një glob është një model në shkallë të vogël i planetit tonë, ndaj mbi të mund të tregosh histori për botën: klimën, gjeologjinë, topografinë, rrugët tregtare, gjithçka”, shprehet drejtori i muzeut, Nikolaus Schobesberger.

Dikur simbole luksi për aristokratët dhe tregtarët e pasur, globet me kalimin e kohës hynë në shkolla, shtëpi dhe në jetën e përditshme. Sot, në një epokë ku Toka mund të shihet në sekonda përmes Google Earth, këto objekte fizike ruajnë ende diçka që teknologjia nuk e zëvendëson lehtë: aftësinë për të zgjuar kureshtjen dhe imagjinatën njerëzore.

Nga 24 shtatori 2026, muzeu do të hapë ekspozitën e re “Globes in Everyday Life, Art and Culture”, e cila do të tregojë se si globi kaloi nga simbol statusi në një objekt të zakonshëm të kulturës dhe jetës së përditshme.

Në fund, Globe Museum nuk është thjesht një koleksion hartash të vjetra. Është një arkiv i mënyrës se si njerëzimi e ka parë veten dhe planetin e tij, një botë që, brez pas brezi, është vizatuar, korrigjuar dhe imagjinuar sërish./KultPlus