Rekord turistësh në Shqipëri, rreth 30% më shumë se vjet

Të huajt gjithnjë e më tepër po shfaqin interes për Shqipërinë. Këtë e tregojnë shifrat e turistëve të cilët kanë vizituar vendin.

Në gusht vetëm përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, sipas ministrit  të Turizmit, Blendi Gonxhja  hynë në Shqipëri 1 milion e 717 mijë pasagjerë. Rekordi u shënua më 17 gusht, shkruan Abcnews.al.

“Rekordi i 17 gushtit, me mbi 60 mijë pasagjerë dhe 326 fluturime në vetëm një ditë, është një tjetër tregues i këtij realiteti të ri. Pas një korriku me afro 1 milion e 650 mijë pasagjerë, 28.1% më shumë se një vit më parë, këto rezultate konfirmojnë një trend të qëndrueshëm rritjeje dhe një Shqipëri gjithnjë e më të lidhur me Evropën dhe botën. Edhe vlerësimet evropiane e konfirmojnë këtë ecuri, duke e renditur Tiranën ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë në kategorinë e aeroporteve të mëdha”, tha ai.Shqipëria po bëhet më konkurruese në tregun ndërkombëtar të turizmit e kjo, thotë ministri Gonxhja shton angazhimin  për të punuar për turizëm cilësor e gjithëvjetor.

“Më shumë lidhje ajrore do të thotë më shumë mundësi për turizmin, më shumë zhvillim për ekonomitë lokale dhe një Shqipëri më e hapur, më e aksesueshme dhe më konkurruese në tregun ndërkombëtar të turizmit. Kjo rritje është njëkohësisht një përgjegjësi për të vijuar punën për një turizëm cilësor, të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor, që e shndërron interesin në rritje për Shqipërinë në zhvillim dhe mirëqenie për komunitetet tona”, pohoi ai.

Sipas Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës turistët me të shumtë në numër erdhën nga Italia, Mbretëria e Bashkuar, Polonia, Turqia dhe Belgjika.