“Të paktën do e di se ku e ka varrin”, mes emocioneve flet motra e intelektualit të zhdukur, Adem Ademi
Lutfije Ademi-Vokshi ka kaluar gati tri dekada mes shpresës dhe dhimbjes, që nga 19 prilli i vitit 1999, kur vëllai i saj, kirurgu Adem Ademi, u rrëmbye nga forcat serbe dhe që atëherë rezulton i zhdukur.
Ajo ka treguar për emocionet dhe shpresën që ka ngjallur zbulimi i një varri masiv në Zubin Potok, ku janë gjetur 23 mbetje mortore, të cilat dyshohet se mund të lidhen me 23 intelektualët e zhdukur të Mitrovicës.
Ademi-Vokshi tha se, pavarësisht nëse njëra prej gjetjeve mortore rezulton të jetë vëllai i saj, dhimbjen do ta ndajë edhe më tej me familjet e tjera që presin prej vitesh për fatin e të dashurve të tyre.“Unë dhimbjen e ndaj me të gjithë familjarët, pa marrë parasysh edhe nëse gjendet vëllai im. Unë do të vazhdoj të ndaj dhimbjen bashkë me ata familjarë të cilëve iu mungojnë më të dashurit e tyre”, u shpreh ajo.
Ajo tregoi se një fotografi e vëllait të saj e shoqëron vazhdimisht dhe se kjo i ka dhënë forcë gjatë gjithë këtyre viteve.
“Unë e kam një foto, që ajo gjithherë më shoqëron mua, të vëllait, nuk ndahem prej asaj. Kjo ma lehtëson sepse unë kam menduar që një ditë, nëse unë nuk do të jem dhe nuk do të gjendet vëllai”, tha ajo në Klan Kosova.
Ademi-Vokshi theksoi se, nëse vërtetohet se Adem Ademi ndodhet në mesin e 23 gjetjeve mortore në Zubin Potok, dhimbja do të jetë e madhe, por së paku familja do ta ketë një vend ku mund ta kujtojë dhe nderojë atë.
“E di që tash, nëse do Zoti dhe nëse është vëllai im në mesin e atyre, përveç dhimbjes së kërkesës që nuk do ta vazhdoj ta kërkoj, e di ku e ka varrin dhe do t’ia çoj disa lule. Dhimbja do të jetë e njëjtë, por të paktën e di ku e ka varrin”, deklaroi ajo mes emocionesh.