Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur, mbi 1 mijë persona ende të pagjetur në Kosovë

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur, ndërsa 27 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, 1 mijë e 577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999.

Pas përfundimit të luftës, në vitin 1999, rreth 6 mijë e 500 persona në Kosovë ishin raportuar të zhdukur.

Sipas Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, edhe sot familjet e 1 mijë e 577 personave vazhdojnë të presin për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre.

Në shënim të kësaj dite, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, do të bëjë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur në Prishtinë, duke filluar nga ora 09:30.

Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur shërben si kujtesë për mijëra familje që ende presin përgjigje për fatin e familjarëve të tyre.