Shpërthen bombola e gazit në banesë, 6 persona të lënduar në Lezhë

Gjashtë persona, mes tyre dy fëmijë të mitur, kanë mbetur të lënduar si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në një banesë në fshatin Markatomaj të Lezhës.

Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30, në banesën në pronësi të shtetasit S. K., 40 vjeç, ku dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi.

Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar dy fëmijë, 10 dhe 13 vjeç, pronari i banesës S. K., 40 vjeç, si dhe shtetaset L. U., 64 vjeçe, L. B., 70 vjeçe dhe V. Gj., 58 vjeçe.

Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë ndihmuar në transportimin e të dëmtuarve drejt Spitalit Rajonal të Lezhës.

Shtetasi S. K. është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar, ndërsa personat e tjerë ndodhen në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku po marrin ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të shpërthimit, njoftoi policia.