Gërvalla i reagon BE-së për vendimin e KGJK-së: Në Kosovë, ligji nuk negociohet
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve të Bashkimit Evropian lidhur me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për të refuzuar kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë dhe zyrtarëve të administratës gjyqësore.
Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla ka thënë se vendimi i KGJK-së është marrë nga një institucion i pavarur dhe, sipas saj, është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Kosovës.
Ajo ka theksuar se dorëheqjet janë paraqitur në vitin 2022 dhe se gjyqtarët në fjalë nuk kanë ushtruar detyrat e tyre për afro katër vjet. Sipas Gërvallës, gjatë kësaj periudhe ata kanë qenë të shkëputur nga proceset e rregullta të sistemit gjyqësor, ndërsa mungesa e vazhdueshme nga puna, siç ka thënë ajo, përbën shkelje të rëndë disiplinore.Gërvalla ka kundërshtuar ndërhyrjen politike në vendimet e institucioneve të pavarura, duke kërkuar nga ata që pretendojnë se vendimi i KGJK-së shkel ligjin që të tregojnë konkretisht se cilën dispozitë ligjore e ka shkelur Këshilli.
“Është e papranueshme që sot një vendim i Këshillit Gjyqësor, i mbështetur në kuadrin kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës, të vihet në pikëpyetje për arsye politike”, ka shkruar ajo.
Ministrja në detyrë ka thënë se Kosova duhet të mbrojë shtetin ligjor dhe pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, duke kërkuar nga partnerët evropianë që ta mbështesin zbatimin e ligjit edhe kur vendimet e institucioneve nuk përputhen me preferencat politike.
Në fund, Gërvalla ka ritheksuar se përfaqësimi i të gjitha komuniteteve në institucionet e drejtësisë është detyrim kushtetues, por sipas saj, kjo nuk mund të përdoret për të relativizuar ligjin dhe përgjegjësinë individuale.
“Në Republikën e Kosovës askush nuk është mbi ligjin. Bash askush! Asnjë individ. Asnjë institucion. Dhe asnjë presion politik, vendor apo ndërkombëtar”, ka përfunduar Gërvalla.