Prishtina nderon Bob Dole për kontributin ndaj Kosovës

Kjo shtatorja e senatorit amerikan Bob Dole ndodhet në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Ajo është vendosur në rrugën që mban emrin e tij.

Të shtunën, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me delegacionin e Kryeqytetit, bënë homazhe pranë shtatores.

Kjo u bë në shenjë mirënjohjeje për kontributin e senatorit Dole ndaj Kosovës, por edhe për rolin e tij në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Rama kujtoi vizitën e senatorit Dole në Kosovë në vitin 1990.

Sipas tij, kjo vizitë ishte një moment i rëndësishëm në përballjen me regjimin serb.

“Senatori Bob Dole së bashku me senatorët e tjerë në vitin 1990 erdhën në kryeqytet dhe është ai moment i vijës së kuqe ndaj regjimit serb, ku ju tha që mos me kalu këtë vijë të kuqe, mos me prek Kosovën. Pra, ky ishte një moment kyç, një kthim kyç për vendin tonë dhe e gjithë kjo mori një jehonë të madhe”, u shpreh Rama.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë aleati më i madh i Kosovës.

I pari i kryeqytetit theksoi rëndësinë e ruajtjes së kësaj aleance.

“Aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një aleancë e përjetshme. Pra, nuk duhet asnjëherë as të diskutohet, sepse pa Amerikën nuk do të kishte Kosovë të pavarur. Pra, aleatët më të mëdhenj janë amerikanët”, u shpreh Rama.

Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij ndaj Kosovës, shtatorja e Bob Dole u zbulua në Prishtinë më 30 gusht 2020.

Kjo ndodhi në 30-vjetorin e vizitës së tij të parë në Kosovë.

Dole ishte një nga zërat e fuqishëm amerikanë në mbështetje të Kosovës dhe një nga figurat që kontribuoi në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-së.