Qytetarët e Kosovës drejt Shqipërisë edhe këtë fundjavë, mbi 52 mijë hyjnë në 24 orë

Vijon të jetë i lartë fluksi i udhëtarëve në pikën e kalimit kufitar të Morinit, edhe në fundjavën e fundit të gushtit.

Pushuesit thonë se po shfrytëzojnë temperaturat e favorshme për të kaluar ditët e fundit të verës në bregdetin shqiptar, edhe pse për shumë prej tyre kjo është një tjetër vizitë gjatë këtij sezoni.Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri kanë hyrë 52 mijë e 864 shtetas dhe 13 mijë e 531 automjete. Në të njëjtën periudhë, nga vendi kanë dalë 35 mijë e 72 shtetas dhe 11 mijë e 238 automjete.

Fluksi mbetet i lartë edhe në bilancin e pesë ditëve të fundit. Nga 24 deri më 28 gusht, përmes Morinit kanë hyrë në Shqipëri 152 mijë e 694 shtetas dhe 46 mijë e 870 automjete. Ndërkohë, në dalje janë regjistruar 121 mijë e 846 shtetas dhe 37 mijë e 148 automjete.

Pika e Morinit mbetet një nga akset kryesore të lëvizjes mes Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa autoritetet vijojnë menaxhimin e fluksit për të shmangur radhët dhe për të garantuar lëvizje sa më të shpejtë të udhëtarëve.