Përmbytjet vdekjeprurëse në Nepal e Tibet, Kina po i fsheh këto video: Bota sheh, kinezët jo

Pamjet dramatike të përmbytjeve në Tibet kanë bërë xhiron e botës, por në Kinë ato janë pothuajse të padukshme.

Një rrëke e fuqishme uji dhe balte përfshiu portin e Gyirong, një nga pikat kryesore kufitare mes Nepalit dhe Tibetit, duke shkatërruar gjithçka në rrugën e saj dhe duke detyruar qindra njerëz të largoheshin për të shpëtuar jetën.

Pamjet e kamerave të sigurisë u shpërndanë masivisht në rrjetet sociale në mbarë botën.

Megjithatë, mediat shtetërore kineze kanë transmetuar vetëm një fotografi nga momenti i katastrofës, ndërsa videot dhe dëshmitë nga terreni janë të vështira për t’u gjetur në internetin e censuruar të Kinës.

Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut kanë shkaktuar qindra viktima, ndërsa qindra persona të tjerë vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur.

Autoritetet kineze kanë nisur një operacion të gjerë shpëtimi, ndërsa presidenti Xi Jinping ka drejtuar një takim emergjent për koordinimin e përpjekjeve.

Megjithatë, informacionet nga terreni mbeten të kufizuara.

Nuk ka pothuajse asnjë dëshmi të drejtpërdrejtë nga të mbijetuarit në Tibet dhe shumë pak pamje të publikuara nga qytetarët.

Sipas raportimeve, censura është veçanërisht e fortë për shkak të ndjeshmërisë politike të Tibetit, ku autoritetet kineze kanë ushtruar kontroll të fortë prej dekadash.

Ndërkohë, mediat shtetërore janë përqendruar kryesisht te operacionet spektakolare të shpëtimit, duke publikuar pamje të ekipeve që kërkojnë të mbijetuar mes baltës dhe rrënojave.

Aktivistët për të drejtat e tibetianëve pretendojnë se videot dhe informacionet e publikuara nga dëshmitarët po hiqen nga rrjetet sociale. Ata i kanë bërë thirrje Pekinit të publikojë të dhëna të plota dhe të verifikueshme për viktimat dhe dëmet.

Autoritetet kineze, nga ana tjetër, mohojnë akuzat për shkelje të të drejtave të tibetianëve dhe theksojnë investimet e mëdha në rajon.

Pavarësisht operacionit të gjerë të shpëtimit, për shumë njerëz në Kinë, dimensioni i vërtetë i katastrofës në Tibet mbetet ende i panjohur.