Shefi i Shtabit të KFOR-it viziton Mitrovicën: Misioni po përshtat pozicionimin e tij në veri
Shefi i Shtabit të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneral brigade Chad Daniels, ka vizituar pjesëtarët e KFOR-it që veprojnë në Mitrovicë, ku është njohur nga afër me angazhimet e tyre në mbështetje të misionit në Mitrovicë dhe në veri të Kosovës.
Gjatë vizitës, Daniels ka parë nga afër punën e Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU) dhe Ekipeve për Ndërlidhje dhe Monitorim (LMT).
Ai tha se pjesëtarët e MSU-së kontribuojnë në praninë e dukshme dhe të lëvizshme të KFOR-it për siguri dhe gatishmëri, ndërsa ekipet LMT mbajnë kontakte të rregullta me të gjitha komunitetet lokale.
“Pjesëtarët e MSU-së kontribuojnë në praninë e dukshme dhe të lëvizshme të KFOR-it për siguri dhe gatishmëri, ndërsa Ekipet për Ndërlidhje dhe Monitorim mbajnë kontakte të rregullta me të gjitha komunitetet lokale, duke kontribuar në ndërgjegjësimin e KFOR-it për situatën dhe në kuptimin e mjedisit të sigurisë”, tha gjeneral Daniels.
Ai ka deklaruar se KFOR-i po përshtat pozicionimin e tij, por duke ruajtur kapacitetet kryesore, përfshirë praninë e dukshme, monitorimin e situatës dhe gatishmërinë për reagim.
“Ajo që kam parë nga pjesëtarët tanë tregon se si KFOR-i po përshtat pozicionimin e tij, duke ruajtur njëkohësisht kapacitetet që kanë më së shumti rëndësi: një prani të dukshme, ndërgjegjësim të fortë për situatën, angazhim me të gjitha komunitetet lokale dhe forca të gatshme për të reaguar kur është e nevojshme, në përputhje me mandatin tonë të kahershëm të Kombeve të Bashkuara”.
KFOR-i ka bërë të ditur se procesi i optimizimit të pozicionimit të tij do të jetë gradual dhe i bazuar në kushtet në terren, duke u mbështetur në vlerësime të vazhdueshme të situatës.