Mladiq vdiq, por ideologjia e tij vazhdon të glorifikohet në Serbi dhe Bosnjë
Kasapi i Bosnjës, i cili kreu gjenocid duke vrarë mbi 8000 burra e djem të rinj në Srebrenicë, vdiq duke vuajtur burgimin e përjetshëm në Hagë.
Por, vdekja e tij nuk do ta shfajësojë dhe as nuk do ta falë sa të jetë njerëzimi për krimet që bëri mbi popullatën civile boshnjake.
Burra e të rinj, të ndarë nga familjet e tyre, të ekzekutuar në mënyrë sistematike dhe të varrosur në varreza masive, përbëjnë një nga krimet më të rënda në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore.
Kryekrimineli serb nuk ishte thjesht një komandant në një luftë.
Ai ishte një nga arkitektët kryesorë të spastrimit etnik dhe gjenocidit ndaj boshnjakëve.
Mladiq e udhëhoqi rrethimin e gjatë dhe të përgjakshëm të Sarajevës, duke vrarë banorët e saj me bombardime dhe të shtëna nga snajperët, ditë pas dite.
Krimineli vdiq, por ideologjia që e ushqeu krimin e tij nuk vdiq bashkë me të.
Ajo mbijetoi. U riciklua. Dhe sot vazhdon të gjejë strehë në majën e pushtetit të Serbisë.
Në krye të këtij pushteti është Aleksandër Vuçiq, një politikan që në të kaluarën nuk e fshehu admirimin për Ratko Mladiqin, por doli publikisht në mbrojtje të tij.
Në vitin 2007, në Beograd, Vuçiq vendoste një tabelë me emrin “Bulevardi Ratko Mladiq”, duke glorifikuar një prej figurave më famëkeqe të luftërave të viteve ’90.
Por, pas dekadash, Beogradi zyrtar ende nuk ka bërë shkëputjen e prerë nga trashëgimia politike dhe nacionaliste që prodhoi krimet e tij.
Madje pikërisht në krye me Vuciqin, Serbia ka paralajmëruar se krimineli i gjenocidit në Bosnjë do të varroset me nderime të larta shtetërore. Vuçiq ka thënë se nuk do të lejojnë që sipas tij gjeneralit t'i mohohet një varrim dinjitoz. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur edhe ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiq, duke thënë se Mladiq është gjeneral dhe protokolli dihet.
Por, që këto paralajmërime të Serbisë që varrimi i Mladiqit të bëhet me nderime të larta shtetëror janë kundërshtuar ashpër.
Ka qenë deputetja britanike Alicia Kearns përmes një qëndrimi të saj që ka kritikuar presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe Qeverinë e Serbisë, duke thënë se ata mohojnë gjenocidin e Srebrenicës, ndërsa tani planifikojnë ta varrosin me nderime të plota personin që dha urdhrat për kryerjen e krimeve.
“Vuçiq dhe Qeveria serbe e mohojnë gjenocidin në Srebrenicë. Tani do ta varrosin njeriun që dha urdhrat, Ratko Mladiqin, me nderime të plota. Kjo është një rrëfim”, ka shkruar Kearns, duke shtuar, megjithëse Mladiq ka vdekur, miliona boshnjakë vazhdojnë të jetojnë, duke e cilësuar jetën e tyre si një fitore ndaj trashëgimisë së tij.
Edhe analisti politik Jasmin Mujanoviq ka reaguar ashpër pas njoftimit të ministrit serb të Drejtësisë se Ratko Mladiq do të varroset në Serbi me nderime të larta shtetërore, duke thënë se një veprim i tillë, sipas tij, tregon qartë “fytyrën e vërtetë” të regjimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
“Është mirë që qeveria serbe po e bën këtë, në mënyrë që të gjithë më në fund ta shohin fytyrën e vërtetë, monstruoze të regjimit të Vuçiqit”, ka shkruar në X Mujanoviq.
Por, vdekja e Mladiqit nuk e varrosi ideologjinë e tij. Ajo vazhdon të jetojë, të glorifikohet dhe të gjejë mbështetje edhe sot.
Në Zvornik të Bosnjë e Hercegovinës, ata që ende i qëndrojnë besnikë politikës së spastrimit etnik, gjenocidit dhe masakrave, u mblodhën për t’i bërë nderime njeriut që la pas mijëra viktima Ratko Mladiqit, kasapit të Bosnjës.
Mladiq u shpall fajtor për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit për rolin e tij në organizimin e masakrës së Srebrenicës në vitin 1995, ku u vranë të paktën 8 mijë myslimanë boshnjakë në zonën e shpallur nga OKB-ja si “zonë e sigurt”.
Masakra e Srebrenicës konsiderohet krimi më i rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore./RTK