Mbi 500 të vdekur në Nepal
Dy ditë pas ortekëve dhe përmbytjeve në Himalajë numri i viktimave në Nepal dhe Tibet ka arritur në të paktën 543 vetë. Enti i Nepalit pvr Mbrojtjen Civile raportoi 538 viktima të konfirmuara. Sipas mediave shtetërore kineze numri i të vdekurve në Rajonin Autonom të Tibetit, që kontrollohet nga Kina, ka arritur në pesë. Mbi 1.400 vetë konsiderohen ende të zhdukur.
Kërkimi i viktimave u ndërpre përkohësisht
Në disa pjesë të zonës së katastrofës ekipet e shpëtimit u detyruan ta ndërprisnin përkohësisht kërkimin për viktima në rajonin kufitar mes Nepalit dhe Tibetit. Edhe në distriktin nepalez Rasuva operacionet e shpëtimit e pezulluan punën tha një zëdhënës i ushtrisë.Arsyeja ishte rreziku i një vale të re përmbytjeje. Televizioni shtetëror kinez raportoi se një liqen që i krijuar prej grumbullimit të baltës dhe gurëve kishte dalë nga shtrati. Pas një paralajmërimi të policisë në Nepal në radhët e popullsisë shpërtheu përkohësisht panik. Ndërkohë sipas autoriteteve rreziqet që vinin nga liqeni i tejmbushur janë vënë nën kontroll.
17.000 fëmijë kanë nevojë për ndihmë
Katastrofa ka pasoja shkatërrimtare për banorët e zonës së prekur. Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) vlerëson se nga fatkeqësia janë prekur të paktën 93.000 persona. Sipas një përfaqësuesi të IFRC-së në këtë numër nuk përfshihen vetëm të plagosurit, por edhe banorët e shtëpive të shkatërruara.Sipas Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) të paktën 17.000 fëmijë kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare. PO ashtu është e rëndësishme të sigurohen vende për organizimin e mësimit, sepse mjaft shkolla janë shkatërruar ose dëmtuar.
Fëmijët në zonën e katastrofës janë tani të ekspozuar ndaj rrezikut të kequshqyerjes, dhunës, shfrytëzimit dhe traumave psikologjike, tha zëdhënësi i UNICEF-it, Ricardo Pires, në Gjenevë.
Shkaku rrëshqitja e një mali
Përmbytja katastrofike e së mërkurës duket se është shkaktuar nga një rrëshqitje mali. Së bashku me masën shkëmbore është shkëputur edhe një akullnajë, tha studiuesja e akullnajave Mylène Jacquemart në një intervistë për tagesschau24.Më pas një ortek gjigant me gurë, akull dhe baltë shkatërroi brenda një kohe shumë të shkurtër fshatra, rrugë dhe ura në rajon. Banorëve u mbeti shumë pak kohë për t'u strehuar dhe për të shpëtuar./DW