Zulfaj: Serbia i privon shqiptarët nga të drejtat përmes mjeteve administrative

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit serb për Integrimin Evropian, i cili e ka cilësuar një komunitet në Kosovë si “grupin etnik më të privuar nga të drejtat në Evropën bashkëkohore”.

Zulfaj ka theksuar se komuniteti serb në Kosovë gëzon një sërë të drejtash të garantuara me Kushtetutë, përfshirë 10 ulëse të rezervuara në Kuvend, një pozitë ministrore të garantuar, përfaqësim të rezervuar në institucionet gjyqësore, kanal publik televiziv, të drejtën për universitet publik dhe të drejtën e vetos për çështjet që prekin të drejtat e komuniteteve.

Në anën tjetër, ai ka akuzuar Serbinë për privimin e shqiptarëve nga të drejtat përmes praktikës së pasivizimit të adresave.

Sipas Zulfajt, pasivizimi i adresave ndikon në dokumentet personale, qasjen në shërbime shëndetësore, arsim dhe të drejtën e votës.

Ai është mbështetur edhe në qëndrimin e Komitetit të Helsinkit në Serbi, i cili këtë praktikë e ka cilësuar si “spastrim etnik përmes mjeteve administrative”, ndërsa ka përmendur edhe raportin e Komisionit Evropian për Serbinë për vitin 2025.

Zulfaj ka thënë se kjo përbën “privim nga të drejtat”, duke akuzuar Serbinë se përdor narrativat e propagandës ruse.

“Detyra jonë si evropianë është të çmontojmë propagandën ruse dhe përfaqësuesit e saj kudo që e gjejmë”, ka shkruar Zulfaj në X.