Nga 60 deri në 100 euro, ekzekutohen paratë për librat

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka miratuar Katalogun e Teksteve Shkollore dhe ka njoftuar se janë ekzekutuar mjetet në llogaritë e prindërve përfitues për subvencionimin e teksteve shkollore për nxënësit e klasave 1–9 për këtë vit shkollor.

Ata thanë se ia kanë dorëzuar listën përfundimtare Ministrisë së Financave për realizimin e transferimit të parave te prindërit.

 “Procesi i aplikimit të prindërve/kujdestarëve ligjorë ka nisur më 27 korrik dhe është zhvilluar përmes platformës eKosova. Çdo aplikim i dorëzuar është verifikuar nga koordinatorët e autorizuar në secilën shkollë. Listat e verifikuara nga shkollat më pas i janë nënshtruar verifikimit përfundimtar nga komisioni përkatës i MASh. Lista përfundimtare e përfituesve i është dorëzuar Ministrisë së Financave për realizimin e transferimit të mjeteve në llogaritë bankare të prindërve”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

“MASh ka zhvilluar negociata me shtëpitë botuese për përcaktimin e çmimeve finale të shitjes së teksteve shkollore. Komisioni për negocim ka përgatitur raportin përfundimtar mbi rezultatet e procesit”.

MASh-i njoftoi se çmimet e përcaktuara në katalog janë të detyrueshme për zbatim në të gjitha pikat e shitjes.

“Në bazë të këtij raporti dhe në përputhje me autorizimet ligjore MASh ka miratuar Katalogun zyrtar të Teksteve Shkollore, në të cilin përcaktohen çmimet finale të shitjes për secilin tekst. Çmimet e përcaktuara në këtë katalog janë të detyrueshme për zbatim nga të gjitha pikat e shitjes së teksteve shkollore”.

MASh tha se katalogu është publikuar online dhe mund të gjendet në këtë link: https://mash.rks-gov.net/.../katalogu-i-teksteve...

Përndryshe, kjo është  vlera e subvencionimit për prind/nxënës për tekstet shkollore në gjuhën shqipe:

Klasat 1 dhe 2 – 60 euro;
Klasa 3 – 65 euro;
Klasa 4 – 70 euro;
Klasa 5 – 80 euro;
Klasat 6 dhe 7 – 90 euro;
Klasat 8 dhe 9 – 100 euro.