Studim: Aftësitë gjuhësore mund të ruhen dhe madje të përmirësohen me kalimin e moshës
Një studim i ri sugjeron se aftësitë gjuhësore janë ndër funksionet e trurit që mund të mbeten të qëndrueshme gjatë plakjes dhe, te disa njerëz, edhe të përmirësohen.
Ndryshe nga funksionet si vëmendja, kujtesa e punës dhe vendimmarrja, rrjeti i trurit përgjegjës për përpunimin e gjuhës duket se preket shumë më pak nga mosha.
Për studimin, hulumtuesit analizuan skanimet e trurit të 547 personave, prej të cilëve 64 ishin të moshës 41 deri në 80 vjeç, ndërsa 483 të tjerë ishin nga 17 deri në 39 vjeç.
Studiuesit krahasuan aktivitetin e rrjetit të trurit që lidhet me përpunimin e gjuhës me një tjetër rrjet të përfshirë në funksionet ekzekutive, si organizimi, kontrolli njohës dhe vendimmarrja.
Rezultatet treguan se gjatë dëgjimit të tregimeve dhe leximit të fjalive, aktiviteti i rrjetit gjuhësor ishte pothuajse i njëjtë te të rinjtë dhe të moshuarit. Të dy grupet reaguan në mënyrë të ngjashme edhe ndaj fjalëve të panjohura dhe strukturave të pazakonta të fjalive.
Ndërkohë, ndryshime të dukshme u vunë re në rrjetin e trurit që lidhet me funksionet ekzekutive. Gjatë një testi të kujtesës hapësinore, të rriturit më të moshuar shfaqën aktivitet më të dobët në këtë rrjet, i cili gjithashtu ishte më i vogël dhe më pak i sinkronizuar krahasuar me atë të të rinjve.
“Në rrjetin gjuhësor, nuk gjetëm dallime mes grupeve të të rinjve dhe të moshuarve. Në të kundërt, sistemi ekzekutiv tregoi rënie pothuajse në të gjitha matjet”, tha Anne Billot, autore kryesore e studimit dhe hulumtuese në Universitetin e Harvardit.
Sipas studiuesve, kjo mund të shpjegojë pse aftësitë gjuhësore, përfshirë fjalorin dhe leximin, shpesh mbeten të qëndrueshme gjatë jetës. Në disa raste, ato mund edhe të përmirësohen, pasi njeriu vazhdon të fitojë njohuri dhe të ekspozohet ndaj gjuhës përmes leximit dhe komunikimit.
“Fjalori vazhdon të rritet për sa kohë që është matur, sepse njerëzit ekspozohen gjithnjë e më shumë ndaj gjuhës”, tha Evelina Fedorenko, profesoreshë e shkencave të trurit dhe njohjes në MIT.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto rezultate vlejnë për plakjen e shëndetshme. Gjendje të tilla si goditja në tru ose demenca mund të ndikojnë në aftësitë gjuhësore.