OSBE-ja i bën thirrje KGJK-së të plotësojë shpejt pozitat e lira pas lirimit të gjyqtarëve serbë

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) lidhur me gjyqtarët dhe stafin gjyqësor serb që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.

Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu, njoftoi sot se KGJK-ja i ka liruar nga detyra gjyqtarët serbë që kishin dhënë dorëheqje.

Pas këtij vendimi, OSBE-ja i ka bërë thirrje KGJK-së që pozitat e lira në sistemin gjyqësor të plotësohen sa më shpejt, duke respektuar procedurat transparente, gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në meritë.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë merr në dijeni vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës lidhur me kërkesat e gjyqtarëve dhe stafit gjyqësor serb të Kosovës për të tërhequr dorëheqjet e tyre”, thuhet në reagimin e OSBE-së.

OSBE-ja ka theksuar se plotësimi i pozitave duhet të bëhet në përputhje me kornizën kushtetuese dhe ligjore në fuqi, duke garantuar edhe përfaqësimin e komuniteteve.

“Misioni i bën thirrje KGJK-së që, në mënyrë të shpejtë, t’i plotësojë pozitat e lira përmes procedurave transparente, gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në meritë për rekrutim dhe emërim, në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi për përfaqësimin e komuniteteve”, thuhet në reagim.

Sipas OSBE-së, përfaqësimi i komuniteteve në sistemin e drejtësisë është i rëndësishëm për garantimin e qasjes së barabartë në drejtësi.

“Një sistem gjyqësor që pasqyron komunitetet të cilave u shërben është thelbësor për të siguruar qasje të barabartë dhe efektive në drejtësi për të gjithë”, përfundon reagimi i Misionit të OSBE-së në Kosovë.