Të paktën 14 foshnja të porsalindura humbën jetën nga zjarri në një spital në Pakistan

Të paktën 14 foshnja të porsalindura kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu repartin e maternitetit në Institutin e Shkencave Mjekësore të Pakistanit (PIMS), në kryeqytetin Islamabad.

Zjarri shpërtheu të mërkurën në mëngjes, në katin e tretë të repartit për nënat dhe fëmijët. Sipas autoriteteve, në repart ndodheshin 15 foshnja në momentin e zjarrit, ndërsa vetëm një prej tyre arriti të shpëtohej, transmeton Zeri.info.

Shkaku paraprak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një defekt në sistemin e kondicionimit të ajrit, i cili shkaktoi një shpërthim. Ministri i Shëndetësisë, Mustafa Kamal, tha se shumë prej foshnjave ishin në inkubatorë ose nën mbështetje me oksigjen, gjë që mund të ketë ndihmuar në përhapjen e shpejtë të zjarrit.

Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan prindër të dëshpëruar jashtë spitalit, ndërsa disa prej tyre u detyruan të prisnin lajme për fëmijët e tyre. Në operacionin e shpëtimit u përdorën edhe shkallë për të nxjerrë njerëzit përmes dritareve të repartit.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka urdhëruar hetim të plotë për shkaqet e tragjedisë dhe për mënyrën e reagimit ndaj zjarrit.

Raportimet e para kanë ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi masat e sigurisë nga zjarri dhe kushtet e emergjencës në spital. Hetimi pritet të përcaktojë nëse ka pasur neglizhencë ose shkelje të rregullave të sigurisë. /Zëri