Vazhdon të rritet kostoja e ndërtimit në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e dytë të vitit 2026, sipas të cilit kostoja e ndërtimit në vend është rritur me 0,9 për qind, duke e krahasuar me tremujorin paraprak.

Ndërkaq, duke e krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, Indeksi i Kostos së Ndërtimit ka shënuar rritje prej 4,4 për qind.

Sipas ASK-së, në tremujorin e dytë të vitit 2026, duke e krahasuar me tremujorin e parë, rritje kanë shënuar disa kategori të kostove.

Energjia është rritur me 2,3 për qind, pagat me 2,0 për qind, materialet dhe transporti me nga 1,5 për qind, ndërsa kostot e tjera janë rritur me 0,9 për qind.

Në anën tjetër, kostoja e makinerive ka shënuar rënie prej 0,6 për qind.

Në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2025, rritjen më të madhe e ka shënuar kostoja e transportit, me 11,2 për qind.

Pagat janë rritur me 8,6 për qind, kostot e tjera me 5,6 për qind, materialet me 4,4 për qind dhe energjia me 2,3 për qind.

Ndërkohë, kostoja e makinerive ka shënuar rënie prej 0,9 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

ASK-ja publikon Indeksin e Kostos së Ndërtimit për të pasqyruar ndryshimet në kostot e përbërësve kryesorë të ndërtimit në Kosovë. /Zëri