Arrestohen tre persona për disa vjedhje të rënda në Gjilan dhe rajone të tjera
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në disa raste të vjedhjeve të rënda në rajonin e Gjilanit dhe në rajone të tjera të vendit.
Sipas Policisë, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Gjilan, pas një hetimi të gjatë dhe intensiv në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, kanë ndërmarrë një sërë veprimesh operative dhe hetimore që kanë çuar në arrestimin e tre të dyshuarve.
Dy prej të arrestuarve janë shtetas të Kosovës, ndërsa njëri është shtetas i Shqipërisë, transmeton Zeri.info.
Të dyshuarit dyshohet se në bashkëveprim dhe si pjesë e një grupi, për një periudhë të gjatë kohore, kanë kryer disa vepra penale të vjedhjes së rëndë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.
Policia ka njoftuar se një person tjetër, i cili dyshohet se ishte pjesë e këtij grupi, është identifikuar dhe është shpallur në kërkim për lokalizim dhe arrestim.
Në kuadër të hetimeve janë kryer bastisje në disa lokacione në Gjilan, Prishtinë dhe Fushë-Kosovë. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar prova dhe pajisje që dyshohet se lidhen me veprimtarinë kriminale të grupit.
Mes sendeve të sekuestruara janë pajisje për komunikim dhe maskim, si dhe mjete që dyshohet se janë përdorur për hapjen me forcë të dyerve, kasafortave dhe objekteve të tjera gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Të arrestuarit, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, janë proceduar më tej sipas procedurave ligjore.
Policia ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për dokumentimin e plotë të rasteve, identifikimin e veprave të tjera të mundshme dhe sigurimin e provave që lidhen me aktivitetin e dyshuar kriminal të grupit. /Zëri