Shkencëtarët zbulojnë një qasje të re, që mund të fuqizojë terapitë me mRNA

Një modifikim i ri i ARN-së mund të ndihmojë qelizat të prodhojnë më shumë proteina nga e njëjta sasi mRNA-je, duke hapur mundësi për terapi më efikase kundër kancerit, sëmundjeve infektive dhe autoimune.

Shkencëtarët nga Johns Hopkins Medicine kanë identifikuar një mënyrë të mundshme për të rritur prodhimin e proteinave nga terapitë me mRNA, përmes përdorimit të një modifikimi natyror të ARN-së të njohur si N4-acetylcytidine (ac4C).Studimi, i publikuar në revistën shkencore Nature, e krahason këtë modifikim me N1-methylpseudouridine (m1Ψ), modifikimi që përdoret në platformat kryesore të mRNA-së, përfshirë vaksinat kundër COVID-19.

Në eksperimentet e kryera në qeliza njerëzore të kultivuara dhe në qeliza të mëlçisë së minjve, studiuesit vërejtën se mRNA-ja e modifikuar me ac4C mund të çojë në prodhimin e më shumë proteinave.

Sipas studiuesve, një nga arsyet mund të jetë shpejtësia me të cilën ribozomet, strukturat brenda qelizave që lexojnë udhëzimet e mRNA-së dhe prodhojnë proteina, lëvizin përgjatë molekulës.

Ekipi i Johns Hopkins raportoi se ribozomet lëviznin gati dy herë më shpejt në mRNA-në e modifikuar me ac4C sesa në atë me m1Ψ. Studiuesit e përshkruan këtë proces si një lloj “bllokimi trafiku” molekular, ku ribozomet mund të ngadalësohen gjatë prodhimit të proteinave.

“Rezultatet tona tregojnë se ac4C bën që qelizat të prodhojnë më shumë proteina terapeutike për të luftuar sëmundjet sesa platforma standarde e mRNA-së”, tha Bin Wu, profesor i asociuar i biofizikës dhe kimisë biofizike në Johns Hopkins University School of Medicine.

Sipas tij, kjo mund të çojë në të ardhmen në terapi më efikase që kërkojnë doza më të vogla.

Teknologjia mRNA po studiohet për një gamë të gjerë përdorimesh mjekësore, përtej vaksinave kundër sëmundjeve infektive. Ajo po hulumtohet edhe për zhvillimin e trajtimeve kundër kancerit dhe sëmundjeve autoimune.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se ac4C mbetet ende në fazë eksperimentale. Nevojiten studime të mëtejshme për të përcaktuar nëse ky modifikim është i sigurt dhe nëse efektet e vërejtura në laborator mund të përsëriten edhe në organizmat e gjallë.

Nëse rezultatet konfirmohen nga kërkimet e ardhshme, zbulimi mund të ndihmojë në zhvillimin e gjeneratës së re të barnave me mRNA, duke mundësuar prodhimin e më shumë proteinave terapeutike nga një sasi e njëjtë e materialit gjenetik.