Vdes turistja amerikane, bie nga kati i 18-të i hotelit në Meksikë

Një turiste amerikane ka humbur jetën pasi ka rënë nga kati i 18-të i një hoteli në Kankun, një nga destinacionet më të frekuentuara turistike të Meksikës.

Ngjarja ka ndodhur gjatë natës së të enjtes, më 20 gusht, në Breathless Cancun Soul Resort. Sipas raportimeve, gruaja ra nga një lartësi prej rreth 45 metrash.

Siguria e hotelit ka reaguar menjëherë dhe në vendngjarje janë thirrur shërbimet emergjente, por gruaja është shpallur e vdekur në vend.

Sipas raportimeve, bashkëshorti i saj u ka thënë stafit të hotelit, mes lotësh, se gruaja kishte bërë diçka “të jashtëzakonshme”. Mediat raportojnë gjithashtu se ai është arrestuar nga autoritetet, ndërsa rrethanat e sakta të ngjarjes mbeten nën hetim.

Policia meksikane ka nisur hetimet për të zbardhur se çfarë ka ndodhur para rënies fatale.

Kankuni, në shtetin meksikan Quintana Roo, është një nga destinacionet më të njohura turistike në vend, i frekuentuar për plazhet, ujërat e kristalta dhe jetën e natës.

Ky është incidenti i dytë fatal që raportohet në Kankun brenda një periudhe të shkurtër. Vetëm një muaj më parë, një turist britanik 60-vjeçar u mbyt pasi u përfshi nga dallgët e forta në plazhin San Miguelito. Dy fëmijët e tij u shpëtuan, ndërsa ai u nxor nga deti pa shenja jete.