Greqia përfshihet sërish nga vala e të nxehtit, temperaturat mund të kalojnë 42°C

Greqia pritet të përballet me temperatura shumë të larta gjatë këtij fundjave, me termometrat që në disa zona mund të shkojnë deri në 42°C, paralajmërojnë autoritetet meteorologjike.

Sipas të dhënave të Observatorit Kombëtar të Athinës, temperaturat do të shënojnë një rritje të mëtejshme në të gjithë vendin gjatë fundjavës, ndërsa kushtet e valës së të nxehtit pritet të zgjasin deri në mesin e javës së ardhshme.

Temperaturat maksimale në pjesën më të madhe të territorit do të luhaten nga 38 deri në 40°C, ndërsa në zona të caktuara mund të arrijnë 41 deri në 42°C.

Meteorologët theksojnë se masat ajrore që kanë përfshirë Greqinë janë 6 deri në 8°C më të ngrohta se vlerat normale për këtë periudhë të vitit. Të dhënat në lartësinë 1,500 metra përdoren për të vlerësuar ndryshimet e temperaturës në shtresat e poshtme të atmosferës.

Autoritetet paralajmërojnë qytetarët dhe turistët të tregojnë kujdes gjatë orëve me temperaturat më të larta, veçanërisht në zonat e ekspozuara ndaj diellit.

Pavarësisht temperaturave të larta, Greqia ka përjetuar deri tani një verë relativisht më të qetë sa i përket valëve të zgjatura të të nxehtit, krahasuar me disa vende të Evropës Veriore dhe Perëndimore. /abcnews