PDK-ja dhe Aleanca kundërshtojnë shitjen e qymyrit në Maqedoni: Kosova do ta blejë energjinë me çmime më të larta

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca kanë kundërshtuar kontratën për shitjen e qymyrit të Kosovës te Maqedonia e Veriut, duke e vlerësuar atë si të dëmshme për sektorin energjetik dhe ekonomik të vendit, ndërsa kanë kërkuar transparencë të plotë për këtë proces.

Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, ka thënë për Ekonomia Online se shitja e qymyrit paraqet një humbje për Kosovën, pasi sipas tij, në vend që ky resurs të përdoret për prodhimin e energjisë në vend, Kosova do të detyrohet që energjinë ta blejë më shtrenjtë në treg.

“Kjo nuk është një transaksion i thjeshtë. Bëhet fjalë për shitjen e thëngjillit, pasuri natyrore me të cilën krenohet Kosova. Por në vend se ne të ishim duke përdorur thëngjillin për të prodhuar energji në Kosovë, ne po i shesim burimet tona natyrore të tjerëve që t’i sigurojmë të tjerëve stabilitet të furnizimit me energji, t’i shndërrojmë vendet tjera në eksportues të energjisë elektrike dhe ne pastaj të blejmë atë energji me çmime shumë më të larta nga të tjerët. Pra, energjinë e cila do të prodhohet me thëngjillin tonë, ne do ta blejmë në treg me çmime të papërballueshme për qytetarët tanë. Dhe kjo tregon mjerimin e sektorit energjetik të cilin e ka sjellë kjo qeveri. Në vend se ne tani të kishim kapacitetet e reja, moderne të prodhimit të energjisë, kjo qeveri hoqi dorë nga çdo projekt për të shtuar kapacitetet e prodhimit të energjisë, hoqi dorë nga ndërtimi i termocentralit dhe tashmë thëngjilli jonë, fatkeqësisht, po përdoret për t’i siguruar të tjerëve mundësi të zhvillimit dhe jo për ta zhvilluar ekonominë tonë”, tha ai.

Mustafa ka ngritur edhe çështjen e transparencës së kontratës, duke kërkuar që ajo të bëhet publike në tërësi.

“Një çështje tjetër lidhet me transparencën e këtij procesi. Kemi të bëjmë me një proces jo transparent. Publiku, e as ne, nuk dimë asgjë për këtë kontratë. Duhet ta dimë se kush ka negociuar dhe si ka negociuar. A ka pasur hapësirë të ketë një ofertë të hapur, një proces të hapur, apo ashtu siç e kanë shndërruar tashmë në një praktikë të tyre që kontratat t’i lidhin në tavolinë me kontrata të negociuara, dhe kjo paraqet një rrezik për interesat edhe ekonomike e financiare të Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, duhet të ketë sqarime edhe lidhur me natyrën e marrëveshjes, nëse bëhet fjalë për shitje apo koncesion.

“Po ashtu, nuk kemi informata. Të vetmet informata janë ato që i ka publikuar ministrja Rizvanolli, mirëpo tashmë është e qartë se fjala e ministrave të kësaj qeverie për ne nuk është për t’u besuar dhe ne kërkojmë shpalosjen e kontratës së plotë në mënyrë që të jemi të informuar për detajet me të cilat është dhënë pasuria natyrore e Kosovës, thëngjilli, për një shtet tjetër. Dhe po ashtu, ka lajthitje edhe rreth asaj se a kemi të bëjmë me shitje apo dhënie me koncesion. Është e paqartë pse kjo lajthitje dhe duhet të kemi sqarime përmes publikimit të kontratës së plotë për publikun”, tha ai.

Ndërsa, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë për Ekonomia Online se kontrata për shitjen e qymyrit paraqet jo vetëm dëm financiar, por edhe mungesë të vizionit për qëndrueshmërinë energjetike të Kosovës.

“Kontrata e qeverisë së Kosovës me Republikën e Maqedonisë së Veriut rreth shitjes së thëngjillit të Kosovës jo vetëm që është e dëmshme në aspektin financiar, mirëpo edhe tregon në esencë mungesën e vizionit për qëndrueshmëri energjetike në Kosovë. Kosovës, kjo qeveri do t’i shesë rreth 73 milionë euro qymyr tek Maqedonia. Ajo sasi do të prodhonte 800 mijë megavat orë rrymë për Kosovën. A po e shihni ku kemi humbur? Këta po flasin për ndotje. Qe ku është Shkupi për ndotje. I gjithë veprimi, mirëpo edhe strategjia për energji ka qenë në dëm të Kosovës edhe ky dëm nuk është veç afatshkurtër, është afatgjatë për qëndrueshmërinë energjetike dhe ekonomike të Kosovës”, tha ai.

Tahiri ka kritikuar edhe mungesën e investimeve në kapacitetet energjetike të Kosovës.

“Kosovën në terr dhe pa rrymë e ka lënë qeveria që është që gjashtë vite në këtë ndërtesë këtu. As nuk ka investime në Kosovën A dhe Kosovën B, as nuk ka investime në ndërtimin e termoelektranës së re, as nuk ka investime në gazin amerikan. Pra ne jemi në dorë të tregtarëve të cilët janë duke fituar qindra miliona euro në shpinë të Kosovës e mbi të gjitha në terrin që po i jep kjo qeveri Kosovës”, tha ai.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar gjatë javës se KEK-u do të eksportojë për tri vjet thëngjill në Maqedoninë e Veriut në vlerë prej 73.2 milionë euro.

Sipas saj, kontrata është nënshkruar për herë të parë mes Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe ESM-së, ndërsa ka theksuar se prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë nuk ndikohet nga kjo kontratë.

Rizvanolli ka thënë se çmimi prej 24.4 euro për ton, pa TVSH, është më i favorshëm për KEK-un krahasuar me kontratat e kaluara.

Në anën tjetër, KEK-u përmes një komunikate ka theksuar se dokumenti nuk parasheh asnjë koncesion mbi qymyrin, minierat, asetet apo resurset e Korporatës.

Sipas KEK-ut, referencë zyrtare dhe juridikisht e vlefshme është kontrata e nënshkruar ndërmjet palëve, ndërsa objekti i saj është shitja e qymyrit.

Korporata ka përsëritur se kontrata parasheh çmim prej 24.4 euro për ton pa TVSH, periudhë 36-mujore dhe vlerë potenciale deri në 73.2 milionë euro, ndërsa shitja bëhet drejtpërdrejt te përdoruesi përfundimtar, pa ndërmjetësues.

Po ashtu, KEK-u ka sqaruar se nuk merr përsipër eskavimin, transportin apo operacionet logjistike për tërheqjen e qymyrit. /eo