Mungesa e kushteve në KEK, kërkesat e shkresat pa përgjigje

Me shkresa e kërkesa për përmirësim të kushteve të punës iu drejtuan disa herë bordit udhëheqës.

Pikërisht nën dyshimet se munguan mjetet mbrojtëse të punës, një punonjës i KEK-ut humbi jetën të enjten.

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari tha se për shkak të kushteve po rrezikohen jetët e punonjësve.

“Për kushtet e punës të them me të vërtetë mund të themi se në Korporatën Energjetike të Kosovës kushtet janë jashtëzakonisht të rënda, kemi mungesë të disa pajisjeve mbrojtëse, si nga aspekti i pajisjeve elektrike, makinerike dhe nga ana e xetarisë, kështu që natyra e punës në KEK është jashtëzakonisht e vështirë”, ka thënë Xhelal Jashari, kryetar i Sindikatës së Re të KEK-ut.

Jashari tha se për shkak të kushteve të rënda brenda hapësirave të KEK, punonjësit rrezikohen edhe nga sëmundje të ndryshme.

“Fatkeqësisht i kemi pas këto humbje të kolegëve tanë me aksidente fatale për jetën e tyre, mirëpo kemi edhe vdekje të cilat mirren sëmundjet në vendet e punës që ne dyshojmë për shkak të gazrave të ndryshme, për shkak pluhurit, për shkak zhurmës, për shkak dridhjeve, për shkak natyrës së punës që është e rëndë në Korporatën Energjetike të Kosovës”, ka thënë Xhelal Jashari, kryetar i Sindikatës së Re të KEK-ut.

32 vjeçari që vdiq dje qe punëtori i katërt i KEK që humbi jetën në vendin e punës gjatë këtij viti.

Arian Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës në një konferencë për media e ka kritikuar qeverinë për qasjen karshi kësaj tragjedie.

“Kur katër punëtor humbin jetën brenda një viti në një ndërmarrje publike, përgjegjësia nuk mund të fshihet, shpërndahet apo t’i hidhet dikujt tjetër.Dhjetëra punëtorë humbin jetën vit pas viti qoft në sektorin privat apo publik, cili është shembullli që sektori publik i kontrolluar nga shteti po i jep sektorit privat”, ka thënë Arian Tahiri, PDK.

Tahiri pati edhe një thirrje.

“Në pamundësi që këto raste t’i ngremë në Kuvendin e Kosovës dhe në komisionet parlamentare, nga këtu i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës, Ministrisë përkatëse, Inspektoratit të Punës dhe vetë Korporatës Energjetike të Kosovës që të përkujdesen dhe t’i mbështesin financiarisht familjet e viktimave, të zhvillojnë menjëherë inspektime të plota dhe të pavarura, të identifikojnë dhe eliminojnë rreziqet në vendet e punës, të rrisin masat e sigurisë dhe mbrojtjes për punëtorët”, ka thënë Arian Tahiri, PDK.

Për vdekjen e 32 vjeçarit, Prokuroria Themelore ka ndaluar një person si të dyshuar pa sqaruar detaje të tjera./dukagjini