Disa të plagosur pas një sulmi me shpatë në një shkollë në Suedi

Një sulmues i armatosur me shpatë plagosi disa persona në një shkollë të mesme në Suedinë qendrore, thanë autoritetet të premten, teksa mediat kanë raportuar se autori i dyshuar i sulmit është qëlluar nga policia.

“Një sulmues i armatosur me shpatë ka hyrë në Brinellskolan dhe ka plagosur disa persona”, tha komuna e Fagerstas përmes një deklarate, duke shtuar se sulmuesi ishte arrestuar nga policia.

Gazeta Aftonbladet raportoi se një person i armatosur me një hanxhar ishte plagosur me armë zjarri në këmbë nga policia.

Komuna nuk specifikoi numrin e të plagosurve, por tha se policia po kontrollon shkollën dhe se shkollat e tjera në zonë ishin mbyllur.

Transmetuesi publik SVT tha se ambulanca, makina të policisë dhe një helikopter kanë shkuar në shkollën që gjendet në qytetin me rreth 12.000 banorë.

Suedia është përballur me disa sulme në institucione arsimore.

Në shkurt të vitit 2025, një 35-vjeçar vrau dhjetë persona në një qendër të arsimit për të rritur në Orebro. Policia tha ky sulm kishte për motiv synimin e autorit për të bërë vetëvrasje për shkak të problemeve financiare dhe psikologjike.

Në mars të vitit 2022, një nxënës 18-vjeçar vrau me thikë dy mësues në një shkollë të mesme në qytetin jugor të Malmos.

Ndërsa në tetor të vitit 2015, tre persona u vranë në një sulm me motive racore në një shkollë në qytetin perëndimor Trollhatan, nga një sulmues i armatosur me shpatë, i cili u vra nga policia. /REL