Gruda pas takimit me Veselin: Me besim dhe bindje të fortë se më 16 shtator do të jetë i lirë bashkë me shokë
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka bërë të ditur se ka takuar në Hagë ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin.
Gruda ka thënë se gjatë takimit kanë biseduar për Kosovën, njerëzit dhe të ardhmen, ndërsa ka përcjellë edhe një mesazh që, sipas tij, Veseli e ka shprehur gjatë bisedës.
“Takova Kryetarin Kadri Veseli në Hagë. Biseduam gjatë për Kosovën, për njerëzit dhe për të ardhmen”, ka shkruar Gruda.
Ai ka thënë se Veseli nuk kishte shfaqur dëshpërim apo dorëzim, por, sipas tij, kishte besim dhe bindje se më 16 shtator do të jetë i lirë së bashku me bashkëluftëtarët e tij.
“Në fjalët e tij kishte qetësi, por edhe një forcë të jashtëzakonshme. Nuk kishte as dëshpërim, as dorëzim. Përkundrazi, kishte besim dhe një bindje të fortë se më 16 shtator do të jetë i lirë, së bashku me shokët e tij”, ka deklaruar Gruda.
Në fund, ai ka reflektuar edhe mbi gjendjen e Veselit në paraburgim, duke thënë se kufizimi i lirisë fizike nuk e ka mposhtur shpirtin dhe bindjen e tij.
“Burgu mund t’ia kufizojë njeriut lirinë fizike, por nuk mund t’ia burgosë shpirtin, bindjen dhe dashurinë për vendin”, ka shkruar Gruda./Zëri