Sulm me bomba molotov ndaj dasmorëve dhe supermakinave në Angli
Një sulm me bomba molotov ka ndodhur jashtë një restoranti në Birmingham të Anglisë, ku po zhvillohej një dasmë me rreth 500 të ftuar.
Persona të maskuar hodhën tre bomba molotov në drejtim të mysafirëve dhe dy të tjera ndaj një McLaren-i dhe një Ferrari, të parkuara jashtë restorantit “Royal Shalimar”. Të dyja veturat u përfshinë nga flakët.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur sulmuesit hedhin shishet me lëndë djegëse, ndërsa mysafirët përpiqen t’i shuajnë flakët dhe t’i largojnë shishet nga njerëzit dhe veturat.
Policia e West Midlands ka nisur hetimet. Sipas autoriteteve, tre persona u panë duke u larguar me një Volkswagen Golf të bardhë, raporton Mirror.
Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar. Policia po shqyrton pamjet e kamerave të sigurisë dhe ka bërë apel për çdo person që ka informacione lidhur me rastin.