Protesta në Tiranë në ditën e 81-të

Protestues dhe aktivistë të shoqërisë civile janë mbledhur sërish sot në Tiranë, duke shënuar ditën e 81-të të tubimit të tyre të vazhdueshëm kundër politikave të qeverisë.

Tubimi nisi fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ku pjesëmarrësit mbajtën pankarta dhe hodhën parulla me kërkesa politike, përfshirë dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe reformimin e thellë të sistemit politik në vend.

Pas grumbullimit fillestar në sheshin qendror, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit kryesor për t’u ndalur përpara godinës së Kryeministrisë, ku vijuan tubimin përmes fjalimeve të njëpasnjëshme të aktivistëve.

Gjatë fjalës së tyre nga foltorja e improvizuar, përfaqësuesit e protestës nënvizuan se do të vazhdojnë praninë e tyre në shesh deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

“Revolucioni i Flamingoveve” nisi fillimisht si një lëvizje kundër ndërtimit të një resorti turistik në Zvërnec.

Gjatë protestës, qytetarët ngritën shqetësime për ekonominë, emigracionin, pensionet, sigurinë dhe funksionimin e institucioneve, duke përcjellë kërkesat e tyre përmes pankartave dhe deklaratave.

Pas ndalesës dhe fjalimeve përpara selisë së qeverisë, tubimi ka vijuar dinamikën e tij lëvizëse. Qytetarët kanë marshuar përgjatë disa prej akseve kryesore rrugore të Tiranës, duke ndjekur të njëjtin itinerar gjeografik si në ditët e mëparshme.