Zyrtare: Moreira i bashkohet Milanit nga Strasbourg për 65 milionë euro
Reprezentuesi i Belgjikës, Diego Moreira, është zyrtarisht lojtar i Milanit, pasi ka kompletuar transferimin nga Strasbourg.
Sulmuesi anësor 22-vjeçar ka nënshkruar kontratë me “Rossonerët” deri në vitin 2031, ndërsa kostoja totale e marrëveshjes raportohet të jetë rreth 65 milionë euro, përfshirë bonuset.
Operacioni është negociuar nga agjenti portugez Jorge Mendes, i cili gjatë kësaj vere kishte luajtur rol edhe në transferimin e sulmuesit Goncalo Ramos nga Paris Saint-Germain te Milani.
Megjithatë, ekzistojnë raportime të ndryshme sa i përket strukturës së saktë financiare të marrëveshjes.
Sipas “Sky Sport Italia”, Milani do t’i paguajë Strasbourgut 45 milionë euro si shumë fikse, ndërsa marrëveshja mund të shkojë deri në 65 milionë euro përmes bonuseve, disa prej të cilave janë më të vështira për t’u aktivizuar.
Moreira kishte qenë në negociata të avancuara edhe me RB Leipzig, por Milani ndërhyri dhe arriti marrëveshjen për transferimin e tij.
Belgu mbërriti në Itali të martën, ku iu nënshtrua testeve mjekësore, ndërsa kontratën me Milanin e ka nënshkruar vetëm këtë mbrëmje.
Moreira do ta bartë fanellën me numrin 22 te klubi italian.