Basha takohet me Nikoloskin, diskutojnë për rrugën Prizren–Tetovë
Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, është takuar sot në Shkup me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski, me të cilin ka diskutuar për projektin e rrugës Prizren–Tetovë dhe tunelin që do t’i lidhë dy vendet.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, projekti Prizren–Tetovë është në proces, ndërsa ekipet teknike të dy vendeve janë duke bashkëpunuar në hartimin e projektit.
Në takim është arritur dakordim që bashkëpunimi të intensifikohet, të finalizohet sa më shpejt hartimi i projektit dhe më pas të vazhdohet me procedurat për kontraktimin dhe realizimin e tij.
Basha ka thënë se përmes tunelit do të shkurtohet ndjeshëm distanca ndërmjet Prizrenit dhe Tetovës, duke krijuar një korridor të ri ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Në takim është diskutuar edhe për avancimin e lidhjeve të tjera rrugore dhe hekurudhore ndërmjet dy vendeve, përfshirë autostradën Prishtinë–Shkup, rikthimin e komunikacionit hekurudhor dhe funksionalizimin e një stacioni të përbashkët hekurudhor kufitar, “One Stop Shop”.
Basha ka falënderuar Nikoloskin dhe zëvendësministren Kaltrina Zekolli-Shaqiri për mikpritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim, duke thënë se ekziston vullnet i përbashkët që projektet e diskutuara të kalojnë nga planet në realizim konkret.