Dyshohet se lëshoi 1,679 diploma pa trajnime, arrestohet pronari i një qendre në Prizren

Një person është arrestuar në Prizren nën dyshimin se ka falsifikuar dokumente dhe ka mashtruar përmes lëshimit të diplomave të aftësimit profesional, pa u zhvilluar trajnimet përkatëse.

Bëhet fjalë për I.Ç., pronar dhe person përgjegjës i Qendrës për Verifikim të Aftësive Profesionale “A.” në Prizren.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, dyshohet se nga viti 2019 e deri më tani, nga kjo qendër janë lëshuar rreth 1,679 diploma për profesione të ndryshme, ndonëse kandidatët nuk kanë ndjekur trajnimet teorike dhe praktike që pretendohej se i kishin përfunduar me sukses, raporton Zeri.info.

“Diplomat dyshohet se janë përdorur për punësim brenda dhe jashtë Kosovës, por edhe për plotësimin e kritereve në procedura të ndryshme të prokurimit. Hetuesit dyshojnë se për një diplomë është paguar rreth 300 euro, ndërsa përfitimi i përgjithshëm nga kjo veprimtari dyshohet se ka arritur në rreth 500 mijë euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Po ashtu sipas njofitmit thuhet se rasti është zbuluar pas informatave të pranuara nga një OJQ vendore, pas së cilës Prokuroria, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë veprime hetimore.

“Me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren është kontrolluar objekti i qendrës, ku janë sekuestruar 333 diploma profesionale, dy kompjuterë, dy USB, tri vula të biznesit, telefoni i të dyshuarit, 11 fleta me shënime për borxhe dhe pagesa, 630 euro para të gatshme dhe nëntë kartëvizita”, thuhet tutje në njofitm.

Po ashtu bëhet e ditur se gjatë kontrollit, sipas Prokurorisë, janë gjetur edhe dëshmi që ngrenë dyshime se qendra nuk ka qenë e akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve dhe nuk ka pasur autorizim për ofrimin, vlerësimin dhe certifikimin e kualifikimeve profesionale.

“I dyshuari është ndaluar për 48 orë. Prokuroria pritet të vendosë brenda afatit ligjor nëse do të kërkojë caktimin e një mase për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale”, thuhet në njofitmin e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Ndërkohë, Prokuroria dhe Policia kanë bërë thirrje për qytetarët që dyshojnë se janë mashtruar apo dëmtuar përmes pajisjes me diploma ose dokumente të aftësimit profesional nga kjo qendër, që ta raportojnë rastin në organet kompetente. /Zëri