Në Pejë sekuestrohet një “BMW X6” që kërkohej ndërkombëtarisht, urdhërohet kthimi te pronari në Gjermani

Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë ka përfunduar me sukses operacionin për sekuestrimin e një automjeti të markës “BMW X6”, për të cilin autoritetet kompetente gjermane kishin lëshuar kërkesë për kërkim ndërkombëtar.

Automjeti ishte në kërkim ndërkombëtar në kuadër të procedurës penale ndaj shtetasit kosovar Sh.Q.

“Më datë 07.08.2026, pas lokalizimit të automjetit, është realizuar sekuestrimi i tij, ndërsa prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalimin e përkohshëm të automjetit.

Pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme procedurale, më datë 14.08.2026, prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për kthimin e automjetit te pronari i tij, shtetasi gjerman R.D.”, thuhet në komunikatë. /Zëri