Pamje të frikshme nga Kroacia - familja me fëmijën tre vjeç ikin me mes të flakëve, vetura fillon të digjet gjatë rrugës

Një ngjarje dramatike është regjistruar në zonën e Omisit në Kroaci, ku zjarret masive kanë shkaktuar dëme të mëdha dhe momente tmerri për banorët dhe pushuesit. Një video tronditëse tregon arratisjen e një familjeje hungareze, e cila u bllokua me makinë brenda unazës së zjarrit bashkë me fëmijën e tyre trevjeçar.

Çifti, fëmija dhe gjyshja sapo kishin mbërritur për pushime në Lokva Rogoznica kur u rrethuan nga flakët në një kolonë automjetesh. Pamjet tregojnë panikun brenda mjetit, ndërsa temperatura e lartë shkriu pjesë të makinës dhe theu xhamat nga nxehtësia ekstreme.

“Zjarri është kudo rreth nesh. Ka tym gjithandej, ndoshta po digjet edhe rruga. Është aq nxehtë sa nuk durohet më,” dëgjohen duke thënë turistët.

Në momentet e fundit, familja arriti të kthejë mjetin drejt zonës së Staniwit dhe të zbresë në plazh. Pas një ore pritjeje, ata u evakuuan me skaf nga një banor vendas i quajtur Slavko.

Dëshmitë dhe hetimet për zjarrvënie të qëllimshme

Banorët lokalë treguan se presioni i ujit në rrjet ra tërësisht, duke i detyruar të mbronin shtëpitë me mjete rrethanore e gota uji, pasi as hidrantët nuk funksiononin.

Flakët kanë shkrumbuar rreth 1.000 hektarë tokë dhe kanë lënë zona të tëra pa energji elektrike.

Policia dhe Prokuroria e Shtetit po hetojnë shkaqet përmes dronëve me harta 3D dhe kamerave të sigurisë. Banorët dyshojnë se zjarri është vënë qëllimisht, pasi është hera e tretë që flakët shpërthejnë në të njëjtin vend.