Festa e Dardhës në Shqipëri, tradita që bashkon vendasit dhe emigrantët

Dardha ka mbajtur edhe këtë vit festën e saj tradicionale, duke mbledhur së bashku banorë, vizitorë dhe emigrantë që rikthehen në vendlindje me nostalgji për fshatin e origjinës. 

Në aktivitet ishte i pranishëm edhe Mitropoliti, i cili iu bashkua festimeve dhe komunitetit të Dardhës në këtë ditë të rëndësishme. 

“Dardha ka qenë, është dhe do të jetë në rrethin e Korçës një nga fshatat më me perspektivë. Ky vend i veçantë dallohet për bukuritë e tij natyrore, për peizazhet e pasura dhe ajrin e pastër që e bën të dallueshëm. Dardha shquhet gjithashtu për begatitë bujqësore dhe burimet e saj natyrore, të cilat janë një pasuri e rrallë që nuk gjendet kudo. Ky fshat është një thesar i gjallë i traditës, kulturës dhe zhvillimit, duke mbetur gjithmonë një pikë referimi për banorët e Korçës dhe vizitorët që e frekuentojnë.” – u shpreh Niko Balli, Kryetar i Shoqatës “Shpresa” 

Për shumë prej emigrantëve, kjo festë është një mundësi për t’u rikthyer te rrënjët dhe për të rijetuar kujtime të fëmijërisë, ndërsa takimi me bashkëfshatarët dhe rikthimi në vendlindje mbartin një ngarkesë të veçantë emocionale. 

Pjesë e aktiviteteve ishte edhe vizita në Muzeun e Dardhës, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen më nga afër me historinë, traditat dhe figurat e shquara që kanë dalë nga ky fshat. 

“Ikonostasi i kishës është një vepër e çmuar, e punuar nga Kostandini, gjyshi ynë. Ky trashëgim i vyer mbart jo vetëm vlerë artistike, por edhe kujtesën e brezave. Më e veçantë akoma është një objekt fetar, i quajtur këtu ‘shanllik’, një lavdar i rrallë, i cili vendosej mbi bukë në formë vule. Kur buka piqej, ajo mbante sipër emblemën e familjes, duke e bërë aktin e përditshëm një rit të shenjtë dhe plot simbolikë. Ky objekt i jashtëzakonshëm i takon vitit 1604 dhe sot e ruaj me kujdes në shtëpinë time në Tiranë, si një dëshmi e gjallë e historisë dhe besimit të familjes sonë.” – u shpreh Roland Tashi, banor 

Çdo 16 gusht, dardharët bashkohen në një ditë të veçantë, ku në qendër është tradita, historia, kultura dhe mikpritja karakteristike e zonës.