Tentim-vrasje, armë pa leje dhe kanosje – kërkohet paraburgim për Vezir Hazirajn

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Vezir Hazirajt, i dyshuar për vrasje të mbetur në tentativë, mbajtje të paautorizuar të armëve dhe kanosje.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 7 gusht 2026, rreth orës 20:40, në fshatin Orroberd të Istogut, pas një mosmarrëveshjeje mes Hazirajt dhe të dëmtuarit D.H.

“Pas një mosmarrëveshjeje ndërmjet të pandehurit dhe të dëmtuarit D.H., ka pasur një përleshje fizike, me ç’rast i pandehuri dyshohet se ka nxjerrë një pushkë gjuetie të modifikuar dhe ka shtënë në drejtim të të dëmtuarit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Nga të shtënat, i dëmtuari është goditur në kofshën e majtë dhe, sipas Prokurorisë, ka pësuar lëndime trupore të rrezikshme për jetën. Pas incidentit, i dyshuari dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria po ashtu dyshon se Haziraj ka mbajtur në posedim armë pa autorizim.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për armët, ka mbajtur në pronësi dhe posedim të paautorizuar armë, përfshirë pushkën e gjuetisë së modifikuar si dhe një armë të shkurtër (revole)”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, më 8 gusht 2026, rreth orës 20:53, Haziraj dyshohet se përmes rrjeteve sociale ka publikuar përmbajtje kërcënuese ndaj personave zyrtarë.

Sipas Prokurorisë, ai dyshohet se i ka kanosur zyrtarët “me dëmtim përmes përdorimit të armëve të zjarrit dhe mjeteve shpërthyese”.

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka bërë të ditur se ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për kërkimin e paraburgimit.

“Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit i është paraqitur Gjykatës kompetente për vendosje”, thuhet në fund të njoftimit.