Zjarri në hotelin në Vlorë, nga të lënduarit pesë janë nga Kosova

Një zjarr i rënë në orët e para të mëngjesit në hotel “Brooklyn” në lagjen “10 Korriku” në Vlorë ka lënë të lënduar gjashtë pushues. Pesë prej tyre janë shtetas të Kosovës, ndërsa një është nga Rrësheni.

Sipas njoftimit paraprak të Policisë, zjarri ka qenë aksidental dhe dyshohet se është shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të një frigoriferi në ambientet e restorantit.

Dy prej të lënduarve kanë pësuar djegie të konsiderueshme trupore dhe janë transportuar për mjekim të specializuar në Spitalin e Djegieve në Tiranë.

Hoteli ku po rrinin në Vlorë u përfshi nga flakët, pushuesi nga Kosova: U hodha nga kati i dytë

“Sot, rreth orës 04:05, në lagjen “10 Korriku”, Vlorë, ka rënë zjarr në ambientet e brendshme të një hoteli, në pronësi të shtetases M. A. Si pasojë e zjarrit janë lënduar 6 pushues, (5 prej tyre shtetas të Kosovës dhe 1 shtetas nga Rrësheni)", njofton policia.

Pesë nga të lënduarit janë transportuar për mjekim në Spitalin e Djegieve në Tiranë, ku 2 prej tyre kanë pësuar djegie të konsiderueshme trupore. Një shtetas po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë.

Policia ka shtuar se nga zjarri janë shkaktuar dëme materiale.

"Nga veprimet hetimore të kryera, përfshirë këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se zjarri ka qenë aksidental, i shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit, i cili ndodhej në ambientet e restorantit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes”, njofton policia. /TCH/